Pavarësisht tensioneve politike dhe bllokimit të foltores nga ana e opozitës, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar dy projektligje mjaft të rëndësishme që synojnë fuqizimin e sigurisë financiare, modernizimin e ekonomisë dhe përafrimin e legjislacionit vendas me standardet e Bashkimit Evropian.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Ministri i Financave, Petrit Malaj, i cilësoi këto akte normativë si “hapa të tjerë konkretë drejt një sistemi financiar më të sigurt, më transparent dhe më pranë standardeve të BE-së”.
I pari akt i miratuar lidhet me shërbimet e pagesave elektronike dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Lidhur me këtë ligj, ministri Malaj sqaroi se “miratuam ndryshimet në ligjin ‘Për shërbimet e pagesave’, me anë të cilit do të ofrohet më shumë siguri për pagesat elektronike, transparencë për tarifat, mbrojtje më e fortë për konsumatorët dhe përafrim me standardet e Bashkimit Evropian”.
Nga ana tjetër, ligji i dytë sjell masa mjaft strikte në kuadrin e luftës kundër informalitetit dhe krimeve financiare. Ministri i Financave nënvizoi se “miratuam edhe ligjin ‘Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit’, i cili forcon kontrollin ndaj transaksioneve të dyshimta, rrit transparencën e pronësisë së bizneseve, vendos rregulla për kriptoasetet dhe kufizon pagesat cash në transaksionet tregtare në 10 mijë euro”.
Përmes këtij reagimi, kreu i financave publike theksoi përkushtimin e mazhorancës për të vijuar punën parlamentare pa u ndikuar nga ngarkesa politike në sallë.
“Debati politik është pjesë e demokracisë, por puna për reformat dhe modernizimin e ekonomisë nuk mund të ndalet”, përmbylli fjalën e tij ministri Malaj.
