Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim për disa ndryshime në Vendimin e mëparshëm Nr. 787, të datës 19 tetor 2026, i cili lidhet me dhënien e shpërblimeve për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe alokimin e një shtese buxhetore për Ministrinë e Punëve të Brendshme për vitin 2026.
Vendimi i ri, i marrë me propozimin e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe në mbështetje të kuadrit ligjor për menaxhimin buxhetor e Policinë e Shtetit, zgjeron rrethin e përfituesve dhe rrit fondin total të vënë në dispozicion.
Zgjerimi i numrit të përfituesve dhe alokimi financiar
Ndryshimet e miratuara prekin si numrin e punonjësve që do të përfitojnë nga kjo masë, ashtu edhe vlerën totale financiare të shtuar në buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Në kuadër të këtyre korrigjimeve administrative:
“Në pikën 1, numri ‘2 750 (dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë)’ zëvendësohet me ‘2 821 (dy mijë e tetëqind e njëzet e një)’.”
Për sa i përket anës financiare, fondi i alokuar pëson një rritje me mbi 19 milionë lekë për të mbuluar numrin e ri të efektivëve përfitues.
“Në pikat 2 dhe 3, fondi ‘740 080 000 (shtatëqind e dyzet milionë e tetëdhjetë mijë) lekë’ zëvendësohet me ‘759 187 520 (shtatëqind e pesëdhjetë e nëntë milionë e njëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind e njëzet) lekë’.”, thuhet nw vendim.
Për zbatimin e menjëhershëm të këtij akti normativ, Këshilli i Ministrave ka ngarkuar tri institucione kryesore:
Ministrinë e Financave
Ministrinë e Punëve të Brendshme
Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit
Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit dhe do të botohet në “Fletoren Zyrtare”.
Burimi: Politika
