Vala e protestave që ka përfshirë disa vende europiane është shtrirë edhe në Greqi. Mijëra studentë dhe mësues marshuan të mërkurën në rrugët e Athinës, duke kërkuar strehim më të përballueshëm për studentët dhe rritje të investimeve shtetërore në arsim.
Manifestime të ngjashme u zhvilluan edhe në qytete të tjera greke, përfshirë Selanikun në veri të vendit dhe qytetin portual të Patrës në perëndim.
Rritja e kostos së jetesës, përfshirë shtrenjtimin e karburanteve, pakënaqësitë ndaj gjendjes së shkollave dhe mungesa e banesave me qira të përballueshme për studentët janë ndër faktorët kryesorë që po nxisin protestat në mbarë Europën.
Në disa vende, demonstratat janë shoqëruar edhe me përplasje të dhunshme, veçanërisht në Francë, por edhe në Itali dhe Shqipëri, ku tensionet mes protestuesve dhe forcave të rendit kanë qenë të pranishme gjatë tubimeve.
Panagiotis Moschonas, një student 20-vjeçar i inxhinierisë, kritikoi qeverinë konservatore greke, duke e akuzuar se nuk ka ndërmarrë masa të mjaftueshme për të lehtësuar barrën financiare të studentëve.
“Qeveria pretendon se po i ndihmon studentët duke u dhënë një subvencion prej 120 eurosh në muaj për qiranë. Por kjo shumë nuk mjafton as për të mbuluar gjysmën e qirasë. Për më tepër, paratë jepen vetëm në fund të vitit”, u shpreh ai.
Marshimi në Athinë u zhvillua nën masa të shtuara sigurie. Forca të shumta të policisë, përfshirë njësitë e ndërhyrjes kundër trazirave, ndoqën nga afër lëvizjen e protestuesve, ndërsa efektivët kryen kontrolle të rastësishme të personave dhe çantave të tyre në rrugët që të çonin drejt vendit të grumbullimit.
Duke pasur parasysh se protestat në Greqi shpesh janë shoqëruar me incidente të dhunshme, një pjesë e dyqaneve dhe lokaleve përgjatë itinerarit të marshimit ulën qepenat metalikë, për të shmangur dëmtimin e vitrinave dhe ambienteve të tyre.
Ndërkohë, sindikatat e mësuesve shpallën grevë për ditën e mërkurë, megjithëse disa shkolla vijuan normalisht procesin mësimor.
Mësuesi Ioannis Rompas tha se përkeqësimi i kushteve ekonomike dhe gjendja e sistemit arsimor e kanë bërë të domosdoshëm reagimin e punonjësve të arsimit.
“Sot jemi në grevë sepse kjo situatë nuk mund të vazhdojë më. Familjet tona po përballen me çmime gjithnjë e më të larta, mezi ia dalim të mbyllim muajin, ndërsa gjendja në shkolla po përkeqësohet me ritme shqetësuese nga viti në vit”, deklaroi ai.
Protestat në Greqi i shtohen kështu valës së pakënaqësive sociale që po përshkon Europën, ku rritja e çmimeve, vështirësitë ekonomike dhe kërkesat për përmirësimin e shërbimeve publike po nxjerrin në rrugë mijëra qytetarë.
Përkthyer nga “New York Post”
Burimi: Lajme ndërkombëtare
