Nga Berat Buzhala
Në Shqipëri po ndodh një anomali politike. Sali Berisha po sillet sikur nuk po e kupton se çfarë domethënie ka kjo.
Më 21 mars të vitit 2022, në Facebook, pata shkruar:
“Çdo minut e më tepër që Berisha e mban peng PD’në, ai ia zgjatë jetën Edi Ramës. Shqipëria ka nevojë për më shumë të ardhme e më pak të kaluar.”
Mirëpo, dy gjëra kanë mbetur të njëjta: Edi fucking Rama dhe Sali fucking Berisha.
Sali Berisha vazhdon të besojë se ai është njeriu që do ta largojë Ramën nga pushteti.
Sali Berisha vazhdon të besojë se ai është e ardhmja e Shqipërisë.
Sali Berisha vazhdon të besojë se ai është shpresa edhe e Gjeneratës Z, edhe e secilës gjeneratë që do të vijë pas saj.
Dhe në këtë besim nuk është se nuk po investon.
Madje, po investon konkretisht.
Partia Demokratike ka lidhur një kontratë dyvjeçare, me vlerë 6 milionë dollarë, me kompaninë amerikane të lobimit Continental Strategy, e angazhuar, ndër të tjera, edhe në përpjekjet për ta ndryshuar statusin e Berishës në Washington.
Kjo është e njëjta kompani që ka lobuar edhe për Republika Srpska, entitetin e Bosnjës të lidhur politikisht me Milorad Dodikun.
Në qershor, Berisha njoftoi se i ishte hapur rruga për të udhëtuar në Amerikë. Departamenti Amerikan i Shtetit foli për përjashtime nga kufizimet, apo waivers, jo për shfuqizim formal të vendimit fillestar.
Sidoqoftë, edhe sikur nesër t’ia fshijnë emrin prej secilës listë në Washington, Berisha e ka një problem tjetër, që nuk zgjidhet me lobistë amerikanë.
Mund të paguash miliona dollarë për të siguruar qasje në Shtëpinë e Bardhë. Por nuk mund të paguash asnjë shumë për ta detyruar një brez të ri të të konsiderojë si të ardhmen e vet.
Dhe pikërisht këtu fillon historia e protestave në Shqipëri.
“Rama në burg, Berisha në burg.”
Kjo nuk është ndonjë parullë periferike, që e ka bërtitur rastësisht një protestues.
Është një prej parullave përcaktuese të revoltës që ka filluar në muajin maj, e cila është përsëritur nëpër rrugët e Tiranës, para Kryeministrisë dhe para institucioneve të tjera.
Madje, protesta ka shkuar aq larg sa deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka përfunduar në lumin Lana, pas përplasjes me një grup protestuesish. Vetë Balliu e ka kundërshtuar versionin se është dhunuar prej tyre. Edhe deputeti Edi Paloka është përzënë nga protestuesit.
Janë pamje që nuk duhet të na gëzojnë, pavarësisht bindjeve politike. Dhuna ndaj deputetëve nuk është kurrfarë fitoreje demokratike.
Por mesazhi politik i këtyre përplasjeve është i pamundur të injorohet.
Një pjesë e atyre që e duan largimin e Edi Ramës, nuk e duan as Sali Berishën.
E Berisha, në vend që ta analizojë këtë fenomen, e luan herë të shurdhrin, herë sikur nuk po e kupton se çfarë po ndodh.
Ai e mbështet protestën, një pjesë e së cilës po kërkon edhe largimin e tij.
A e kupton Sali Berisha se çfarë anomalie është kjo?
A e kupton se çfarë paradoksi është bërë ai personalisht?
Që njerëzit të dalin në rrugë kundër qeverisë është gjëja më normale, madje më e shëndetshme, në një demokraci.
Që njerëzit të dalin kundër Edi Ramës, pas më shumë se trembëdhjetë vjetësh në pushtet, është edhe më normale.
Por që qytetarët të protestojnë kundër qeverisë dhe, në të njëjtën kohë, të refuzojnë edhe shefin e opozitës, kjo nuk është bash normale.
Kjo nuk duhet të ndodhë.
Të jesh kryeministër dhe të të urrejnë shumë njerëz është një fenomen i zakonshëm. Kryeministri merr vendime, shpërndan para, emëron njerëz, prodhon privilegje dhe padrejtësi. Për këtë punë edhe ekziston opozita.
Por të jesh shef i opozitës dhe të refuzohesh nga një pjesë e njerëzve që kërkojnë ndryshim, ky është një problem shumë më serioz.
Një kryeministër mund të qeverisë edhe pa qenë i dashur nga një pjesë e madhe e qytetarëve.
Shefi i opozitës, ndërkaq, duhet ta zgjerojë vazhdimisht rrethin e njerëzve që i besojnë.
E jo t’i mbajë peng, për arsye historike e emocionale, qindra mijëra besimtarë politikë, përmes të cilëve e pamundëson zgjerimin e opozitës dhe e pengon rrotacionin.
Berisha duhet ta kuptojë se, politikisht, qytetarët nuk i kanë borxh asgjë.
As për vitin 1992. As për vitin 2005. As për Rrugën e Kombit. As për NATO-n.
Historia mund t’ia njohë të gjitha këto merita, por historia nuk është kontratë për udhëheqjen e përjetshme të Partisë Demokratike.
Në qershor të vitit 2024, pata shkruar:
“Me investu sot te Berisha është pak a shumë sikur me investu në ringjalljen e kompanisë së telefonave celularë Motorola.”
Motorola ka qenë kompani fantastike. Mirëpo, në një moment bota ndryshoi. Erdhën teknologji të tjera, produkte të tjera, kompani të tjera. Tregu nuk u ndal për ta pritur Motorolën që të kthehej në lavdinë e dikurshme.
Edhe në politikë ndodh e njëjta gjë.
Sali Berisha ka pasur rol të rëndësishëm historik. Unë këtë gjë nuk e kam mohuar kurrë.
Besoni ose jo, gjyshi im e ka pëlqyer Sali Berishën.
Gjyshi im ka qenë i lindur në vitin 1915.
Baba im e ka pëlqyer Sali Berishën.
Baba im ka qenë i lindur në vitin 1948.
Në momente të caktuara, edhe unë e kam pëlqyer Sali Berishën.
Unë jam i lindur në vitin 1975.
E tash, fëmijët e mi, të lindur në këtë mijëvjeçar, duhet prapë të merren me Sali Berishën.
Paramendojeni këtë histori.
Një politikan që e ka pëlqyer gjyshi im, që e ka pëlqyer baba im, që në momente të caktuara e kam pëlqyer edhe unë, tash po kërkon me qenë shpresa politike edhe e fëmijëve të mi.
A e kupton Berisha se kur ai është zgjedhur President i Shqipërisë, në vitin 1992, shumica e protestuesve të sotëm as që kishin lindur? Për disa prej tyre, edhe prindërit kanë qenë ende adoleshentë.
A e kupton sa shumë ka ndryshuar bota prej atëherë?
Në qershor të vitit 2013, kur Berisha i humbi zgjedhjet, pata shkruar një editorial me titull “Lamtumirë Doktor”.
Ia njihja meritat për tranzicionin shqiptar, Rrugën e Kombit, për afrimin e Shqipërisë me Perëndimin, për anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave.
Mendova që ishte një lamtumirë.
Por, në kokën e doktorit, paska qenë një mirupafshim.
Dhe jo një mirupafshim i shkurtër.
Një mirupafshim që ka zgjatur trembëdhjetë vjet dhe nuk po i shihet fundi.
Nuk po mundem me e kuptu Berishën.
Pse një njeri që ka pasur rol në historinë e Shqipërisë duhet patjetër ta ketë edhe rolin kryesor në të ardhmen e saj?
A është Partia Demokratike parti politike apo muze i një biografie?
Në maj të vitit 2022 pata shkruar:
“Zoti na rujte me bo me vdeke nojhere Sali Berisha, cka ka me bo PD? Me mshele partine?”
Katër vjet më vonë, kjo shaka nuk po më duket më edhe aq qesharake.
Në natyrë ekziston një fenomen interesant.
Lumenjtë nuk dalin nga shtrati vetëm pse bie shumë shi. Shpesh vërshojnë sepse dikush ua ka bllokuar rrugën natyrore. Dikush ka hedhur inerte, ka ndërtuar pa plan, ka shkatërruar kanalet, ka degraduar ambientin.
Pastaj vjen një shi pak më i madh dhe uji, meqë nuk e gjen më shtratin e vet, del nëpër rrugë, hyn nëpër shtëpi, rrënon gjithçka që i del përpara.
Problemi nuk është vetëm te sasia e ujit.
Problemi është edhe te inertet që ia kanë zënë rrugën.
Diçka e ngjashme po ndodh edhe me politikën shqiptare.
Në një demokraci funksionale, pakënaqësia ndaj qeverisë duhet ta ketë një rrugë natyrore për t’u shndërruar në ndryshim politik.
Ajo rrugë është opozita.
Mirëpo, kur opozita bllokohet, kur nuk është e aftë t’i përfaqësojë edhe qytetarët që nuk janë tradicionalisht votues të saj, zemërimi fillon të grumbullohet.
Dhe në një moment shpërthen.
Del prej binarëve normalë. Shndërrohet në revoltë.
Sepse njerëzit nuk e shohin veten të përfaqësuar në Kuvend. Nuk e shohin veten as te qeveria, as te opozita.
Në njërën anë është Edi Rama, një kryeministër i konsumuar nga pushteti, me afera që kanë përfshirë njerëz të rëndësishëm të qeverisjes së tij dhe me një pjesë të shoqërisë që kërkon largimin e tij.
Në polin tjetër, që duhej të ishte alternativa, qëndron Sali Berisha, një politikan të cilit mund t’ia numërosh shumë prej të metave që ia numëron Edi Ramës, plus një bagazh historik që shkon deri në shekullin e kaluar.
Pra, lumi i zemërimit po rritet, por shtrati ku duhej të kanalizohej politikisht është i bllokuar.
Natyrisht, asnjë bllokadë politike nuk mund ta justifikojë djegien e institucioneve, sulmet ndaj policisë apo dhunën ndaj qytetarëve. Një revoltë nuk bëhet më e drejtë pse bëhet më e dhunshme.
Por, po aq gabim është të mendosh se zemërimi mund të zhduket duke arrestuar disa protestues apo duke e shpallur secilin kundërshtar armik të shtetit.
Shqipëria ka një problem të madh me përfaqësimin politik.
Dhe në këtë problem, sipas meje, Sali Berisha është bërë një prej inerteve kryesore.
Në maj të vitit 2023, pas zgjedhjeve vendore, pata shkruar:
“Edi Rama i paska fitu krejt bashkitë dhe qarqet në Shqipëri, plus paska dalë pak edhe në Kosovë, e paska fitu Prizrenin, Dragashin, Suharekën, Malishevën edhe Lipjanin.”
E pastaj e përfundova:
“Tash e tutje, sa herë ta shaje Edi Ramën, dy herë e shaje Sali Berishën.”
Në maj të vitit 2025, pas humbjes tjetër të opozitës, pata bërë një listë me fajtorët për humbjen e Sali Berishës.
Në listë ishin Edi Rama, Agron Shehaj, Adriatik Lapaj, Arlind Qori, Baton Haxhiu, taksat që Amerika ia kishte vendosur Kinës, penalltia që referi nuk ia dha Real Madridit dhe Altin Dumani.
Berisha, natyrisht, nuk kishte kurrfarë përgjegjësie.
Kjo është mënyra se si funksionon ky univers politik.
Nëse një opozitar e kritikon Berishën, ai është i shitur te Rama.
Nëse një parti e re fiton disa vota, ajo është krijuar për t’i shërbyer Ramës.
Nëse protestuesit nuk pranojnë të marshojnë nën flamurin e PD-së, atëherë ata qenkan të manipuluar.
Pse ka rëndësi
16.10 · 09:57Nga “Refleksionet” te represioni: Rama përballë brezit të ri që nuk ka më frikë
Sepse, paramendojeni, paskan guxuar të bëhen opozitë e opozitës.
Sipas kësaj logjike, qytetari shqiptar mund ta urrejë Edi Ramën, por nuk e ka të drejtën të mos e dojë Sali Berishën.
E nëse nuk e do asnjërin, atëherë problemi është te qytetari.
Ky është absurdi.
Madje, Berisha ka gjetur kohë të merret edhe me mua.
Në shtator të këtij viti deklaroi publikisht se unë, Baton Haxhiu dhe Albatros Rexha duhej të përballeshim me dënime prej pesë vjetësh burg, për shkak të takimeve me Vlora Hysenin.
Për neve e dha vendimin pa gjykatë, pa proces dhe pa mbrojtje.
Kur është fjala për veten dhe familjarët e tij, kërkon respektimin e ligjit dhe të procedurave. Kur është fjala për gazetarët që nuk i pëlqejnë, ai e shpall dënimin në konferencë për shtyp.
Nejse.
Në një postim të qershorit 2024, duke folur për gjendjen e opozitës, pata shkruar se ekstremistët e Berishës nuk po kërkonin mbështetës, por kamikazë.
Dhe ky është dallim thelbësor.
Një parti që kërkon të vijë në pushtet duhet t’i bindë njerëzit që t’i bashkohen, jo t’u kërkojë të hidhen në humnerë bashkë me të, për ta dëshmuar besnikërinë.
Partia Demokratike, në këtë kuptim, është shndërruar në një parti politikisht shtatzënë, që nuk po lind.
Vazhdimisht premton ndryshim. Vazhdimisht flet për një të ardhme tjetër. Vazhdimisht thotë se është në prag të diçkaje historike.
Por në fund e prodhon gjithmonë të njëjtin rezultat: Sali Berishën.
Në prill të këtij viti, pas zhvillimeve në Hungari, pata shkruar:
“Nuk mundesh me rrëzu Edi Ramën me Sali Berishën.”
Dhe kjo, për mua, vazhdon të jetë esenca e problemit.
Sikur sot Partia Demokratike të udhëhiqej nga një figurë tjetër, më e re politikisht, me më pak bagazh dhe me më shumë mundësi për t’i bashkuar të pakënaqurit, a do të ishte Shqipëria në këtë situatë?
Nuk e di.
Ndoshta Edi Rama nuk do ta kishte pritur fare tetorin në Kryeministri. Ndoshta kriza do ta kishte detyruar të largohej që në maj.
Askush nuk mund ta dijë me siguri.
Por ajo që dihet është se opozita shqiptare ka humbur shumë mundësi për t’u reformuar, ndërkohë që Berisha e ka ruajtur pozitën e vet.
Dhe kjo pozitë po duket se është bërë më e rëndësishme sesa vetë funksioni i opozitës.
Sali Berisha mund të ketë mbështetës të shumtë, njerëz që ia njohin meritat dhe që vazhdojnë t’i besojnë.
Kjo është krejt legjitime.
Por për ta ndryshuar pushtetin nuk mjafton që të të duan njerëzit që të kanë dashur gjithmonë.
Duhet të arrish t’i bindësh edhe ata që nuk të kanë dashur kurrë.
Pikërisht këtu qëndron problemi i tij.
Në vend që të merret me arsyet pse të rinjtë nuk po e konsiderojnë si alternativë, ai merret me Arlind Qorrin, me partitë e vogla, me gazetarët, me çdo njeri që nuk pajtohet me të.
A e kupton Berisha se protestuesit nuk janë të detyruar ta pranojnë si prijës, vetëm pse ai ka qenë njëri prej prijësve të dhjetorit të vitit 1990?
A e kupton se historia nuk trashëgohet si pronë private?
A e kupton se Shqipëria e vitit 2026 nuk është Shqipëria e vitit 1992?
Dhe, mbi të gjitha, a e kupton se njerëzit që dalin në rrugë nuk e kanë për obligim ta zgjedhin njërin prej dy politikanëve që e kanë dominuar politikën shqiptare për kaq shumë vite?
Edi Rama e ka përgjegjësinë për qeverisjen e tij, për korrupsionin që dyshohet e hetohet brenda saj, për arrogancën e pushtetit dhe për pakënaqësinë që e ka nxjerrë një pjesë të shoqërisë në rrugë.
Por Sali Berisha e ka përgjegjësinë për opozitën e tij.
Dhe përgjegjësia e një shefi të opozitës nuk është vetëm ta shajë kryeministrin.
Është ta ndërtojë alternativën.
Është t’i bëjë bashkë njerëzit që kërkojnë ndryshim, e jo t’i largojë ata që nuk pranojnë t’ia njohin autoritetin.
Është t’ia hapë rrugën një gjenerate të re, nëse vetë nuk arrin ta fitojë besimin e saj.
Për këtë arsye, parulla “Rama në burg, Berisha në burg” është shumë më tepër sesa një thirrje politike me përmbajtje penale. Për çështje penale vendosin gjykatat.
Ajo është edhe një refuzim i monopolit Rama-Berisha mbi jetën politike të Shqipërisë.
Një refuzim i idesë se shqiptarët janë të dënuar të zgjedhin përjetësisht ndërmjet këtyre dy figurave.
Një refuzim që Berisha nuk ka pse ta pëlqejë, por që nuk mund të pretendojë se nuk po e dëgjon.
Dhe në gjithë këtë histori ekziston edhe një paradoks tjetër.
Një politikan që ka kaluar një pjesë kaq të madhe të jetës së tij duke kërkuar dorëheqjen e të tjerëve, nuk po e shqyrton seriozisht mundësinë e dorëheqjes së vet.
Sali Berisha nuk ka nevojë ta dojë Edi Ramën për ta ndihmuar të qëndrojë në pushtet.
Mjafton ta dojë pozitën e vet më shumë sesa ndryshimin.
Dhe derisa të vazhdojë kështu, lumi i zemërimit do të vazhdojë të rritet, sepse rrugët e tij natyrore politike do të mbeten të bllokuara.
Nuk është gjithmonë shiu që e shkakton përmbytjen. Nganjëherë janë inertet që kemi refuzuar t’i heqim prej shtratit të lumit.
Burimi: Politika
