Nga Ben Andoni
Ata nuk janë të dhunshëm, por janë krejtësisht të munguar në shoqërinë tonë. Në të ardhmen e tyre të mbushur me pasiguri që parashihet nga shkollimi që bëjnë, shikon realisht gjendjen e tyre dhe të shoqërisë sonë. Temë e këtij shkrimi nuk janë grupet e adoleshentëve të shfrytëzuar për të qëlluar agresivisht mbi institucionet, biznesin provat, bankat, infrastrukturën teknike etj., por vetëm studentët; ata që po e trandin Shqipërinë.
Gjëja që të bën përshtypje dhe të sjell ndjesi të mirë në auditor është moment kur arrin ta bësh studentin\en të dëgjoj me vëmendje ligjërimin dhe akoma më shumë të bëhet pjesë dhe ta ndërtojë ai\ajo të gjithë temën. Përballë në këtë rast, shikon studentë që janë të etur për arsim dhe ca më shumë për dijeni, por edhe për rrugë zgjidhje. Por, pyetja që mbetet pas çdo procesi të tillë bashkëbisedimi të ndershëm është sepse atëherë nuk respektohet meritokracia? Pse curricula-t e shkollave tona nuk shërbejnë kur mbaron për vendet e punës? Pse janë adresuar gabim në shkolla, ku aftësitë e tyre nuk i çojnë në drejtimin e duhur? Si mund ta shmangi ashensorin social dhe të jetë fill sipër? Media shpesh i kap në grackë sepse një pjesë nuk i shtrohet logjikës por emocionit dhe sidomos sipërfaqes së argumentit.
E megjithatë, ata nuk mund t’i quash të dhunshëm. Përdorimi i atyre që kanë bërë dhunë, kjo është dilema e madhe që rëndon sot për të gjithë. Ku e gjejnë atë urrejtje të paimagjinueshme? Pse e urrejnë vendin e tyre kaq shumë? Pse nuk e respektojnë produktin e taksave tona? A janë vallë vetëm rrjetet sociale? A janë ndikimet e huaja? Të gjitha mundet, por një gjë është e dukshme, kjo qeverisje e Majtë nuk është sjellë aspak si e Majtë. Të varfërit janë varfëruar, kurse të pasurit janë bërë më të pasur. Paradoksalisht, shpesh, nuk ndihen dhe njerëzit e opozitës për rritjet e pagave dhe benefitet e tjera, paçka se para publikut (në këto ditë) garojnë se kush do të bëjë më të dukshëm kontributin e vet.
Por, studentët e 2026 nuk mund të jenë ajo pjesa e dhunshme që na ka sjellë tashmë të gjallë plagën e fundviteve ’90. Varfëria dhe pabarazia e frikshme ka sjellë në skakierën shoqërore shqiptare individë të inatosur dhe shumë konfuzë, pafund mosmarrëveshje dhe bllokime, në një farë mënyre dhe cilësi e fenomene që i kemi pasur shumë prezentë në 100 vitet e fundit, të cilat i kanë bukosur krejt forcat për shndërrimin e vendit me punën efikase dhe të durueshme (kemi nga rendimentet më të ulëta) dhe shndërrimin e natyrës në dobi të përfitimit publik…Kryeministri Rama nuk duhet të laj më duart si Pilati. Të gjitha këto janë pasojë e një drejtimi të madh të gabuar dhe pa vizion të tij, kurse kërkesat e tij për negocim janë krejt të vonuara. Studentët nuk po protestojnë për të përmirësuar universitetin, sepse e dinë që në atë rankim që është do duhen dekada pune intensive, por ata po protestojnë sepse universiteti që mbarojnë nuk ua shpjegon më botën dhe nuk ua siguron dot mbijetesën. Po të bënim një krahasim me ngjarjet evropiane të ngjashme në vitin 1968, në vitin 2026, ata kanë një “anti-program”: Nuk duan më kulla, nuk duan më as koncesione, madje nuk duan më as trashëgiminë alla Muze Hebraik në Vlorë, për të cilin askush nuk e kishte kërkuar. Kërkesa për arsim është vetëm një lloj maske, kurse ajo ndaj Ramës është mirëfilli urrejtje, sepse më të identifikohet e gjithë kjo padrejtësi. Thelbi është ajo që e di çdokush: diploma nuk vlen me të gjithë ato vjet impenjime dhe me aq para dhe pastaj të gjesh edhe mik për punë. Është thjesht krizë kuptimi dhe jo krizë që vjen nga portofoli i hollë. Në vitin 1997, batërdia që ndodhi ishte revoltë e varfërisë që lanë pas Skemat Piramidale, ndërsa në vitin 2026 është revoltë e mungesës. Studentët i pamë, kur mungonin. (Javanews)
Burimi: Opinion
