33 persona janë arrestuar dhe 41 të tjerë janë proceduar penalisht pas tubimit të zhvilluar dje në Tiranë. Sipas Policisë, gjatë protestës janë dëmtuar shtatë efektivë, ndërsa protestuesit dyshohet se kanë sulmuar me gurë dhe sende të forta punonjësit dhe automjetet e Policisë.
Në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë bëhet e ditur se mes të arrestuarve janë edhe gjashtë të mitur, të moshave 15 dhe 17 vjeç.
Sipas Policisë, personat e arrestuar dyshohet se kanë qëlluar me gurë dhe sende të tjera të forta në drejtim të efektivëve dhe automjeteve të Policisë, si dhe kanë dëmtuar koshat e mbeturinave dhe tabelat e sinjalistikës rrugore, me sende të forta dhe zjarr.
Policia thekson se gjatë shtatë ditëve të protestave janë arrestuar gjithsej 271 persona. Nga këta, 51 rezultojnë me precedentë penalë në fusha të ndryshme, përfshirë vrasjen, plagosjen, armëmbajtjen pa leje, prodhimin dhe shitjen e narkotikëve, prostitucionin, vjedhjen, mashtrimin, falsifikimin e dokumenteve dhe veprat penale kundër punonjësve të Policisë.
Në listën e veprave penale të përmendura nga Policia përfshihen gjithashtu shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, mbajtja pa leje e armëve të ftohta, pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme, si dhe shkelje në fushën e mjedisit dhe të qarkullimit rrugor.
NJOFTIMI I POLICISË
DVP Tiranë
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me tubimin e zhvilluar dje:
– U arrestuan në flagrancë 33 shtetas, konkretisht: Rr. C., 18 vjeç, L. S., 21 vjeç, D. D., 26 vjeç, E. B., 19 vjeç, E. T., 19 vjeç, E. G., 36 vjeç, A. A., 21 vjeç, A. H., 23 vjeç, O. Xh., 18 vjeç, E. H., 19 vjeç, Dh. H., 20 vjeç, A. R., 19 vjeç, T. T., 29 vjeç, A. L., 19 vjeç, A. B., 18 vjeç, B. T., 42 vjeç, D. L., 21 vjeç, F. M., 22 vjeç, G. B., 20 vjeç, L. M., 19 vjeç, Q. M., 22 vjeç, A. S., 20 vjeç, Y. I., 31 vjeç, F. L., 29 vjeç, K. P., 18 vjeç, M. M., 18 vjeç, A. B., 42 vjeç, dhe 6 të mitur, të moshave 15 dhe 17 vjeç.
– U proceduan penalisht 41 shtetas.
Këta shtetas dyshohet se, gjatë tubimit, kanë qëlluar me gurë dhe me sende të tjera të forta në drejtim të punonjësve dhe automjeteve të Policisë, si dhe kanë dëmtuar me sende të forta dhe me zjarr koshat e mbeturinave dhe tabelat e sinjalistikës rrugore.
Si pasojë e sulmit dhe dhunës nga ana e personave të maskuar dhe të dhunshëm gjatë tubimit të djeshëm, janë dëmtuar 7 punonjës policie.
Ndërkohë, theksojmë se gjatë 7 ditëve të protestave të dhunshme janë arrestuar 271 shtetas, nga të cilët 51 me precedentë penalë në fushën e vrasjes, plagosjes, armëmbajtjes pa leje, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, prostitucionit, shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, vjedhjes, mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve, mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, pjesëmarrjes në grumbullime të paligjshme, goditjes/kundërshtimit/mosbindjes ndaj punonjësve të Policisë, si dhe në fushën e mjedisit dhe të qarkullimit rrugor.
Burimi: Kronikë
