AlbTimes
Subscribe
SAVED POSTS
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
AlbTimes
Home Opinion

Fëmijët nuk i krijon vetëm shkolla

by Alb Times
18/10/2026
in Opinion
6
0
Kur flakët prekin shtëpinë e arsimit

Foto: Opinion

6
SHARES
301
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Nga Pëllumb Karameta

Ben Blushi, në shkrimin e tij «Pse po protestojnë fëmijët», ngre një shqetësim që meriton vëmendje. Përse disa të rinj hedhin gurë, thyejnë xhama, shkatërrojnë objekte publike dhe e shohin shtetin si armik?

Ai e kërkon përgjigjen te shkolla shqiptare. Te dobësimi i saj gjatë tridhjetë viteve të fundit. Te dështimi për të formuar qytetarë që dinë ta dallojnë shtetin nga qeveria dhe protestën nga shkatërrimi. Është një këndvështrim që të fton të mendosh.

Por a mjafton shkolla për ta shpjeguar këtë dukuri? Nëse shkolla i ka mësuar disa të rinj të hedhin gurë, kush i ka mësuar ata që nuk hedhin? Nëse shkolla ka prodhuar urrejtje, kush e ka prodhuar mirëkuptimin?

Shpesh këta të rinj kanë qenë në të njëjtën klasë. Kanë dëgjuar të njëjtin mësues, kanë lexuar të njëjtin libër dhe kanë bërë të njëjtat detyra. Pastaj njëri ka marrë librin dhe tjetri gurin. Përse?

Përgjigjja na çon përtej shkollës. Në familje, në shoqëri, në politikë dhe te vetë individi.

Një tetëmbëdhjetëvjeçar nuk lind ditën kur merr dëftesën e maturës. Ai ka tetëmbëdhjetë vjet që formohet. Ka lindur me një trashëgimi gjenetike që ndikon në temperamentin dhe predispozitat e tij. Ka jetuar në një familje ku ka mësuar çfarë është dashuria, frika, autoriteti, respekti dhe përgjegjësia. Ka kaluar vite në shkollë, ku ka fituar njohuri, ka zhvilluar aftësi dhe ka përvetësuar ose kundërshtuar vlera. Ka jetuar në një shoqëri ku ka parë si fitohet paraja, si merret pushteti, si zbatohet ligji dhe si shkelet ai. Ka pasur përvoja vetjake që askush tjetër nuk i ka pasur.

Të gjitha këto e kanë formuar. Asnjëra e vetme. As shkolla.

Blushi shkruan se shkolla shqiptare i ka mësuar fëmijët të urrejnë shtetin. Këtu duhet bërë një dallim. A i ka mësuar shkolla të urrejnë apo nuk ka arritur t’i mësojë të mos urrejnë? Në rastin e parë shkolla është mësuese e urrejtjes. Në rastin e dytë është një institucion që nuk e ka përmbushur detyrën e vet edukative. Dallimi është po aq i madh sa ai midis një mjeku që nuk arrin ta shërojë pacientin dhe një mjeku që e sëmur atë.

Dobësimi i shkollës mund të ketë ndikuar në formimin qytetar të të rinjve. Por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ajo i ka edukuar me urrejtje.

Për të treguar se shkolla mund të formojë një marrëdhënie tjetër me shtetin, Blushi sjell si shembull studentët e dhjetorit 1990. Ai kujton se ata kundërshtuan regjimin komunist pa e shndërruar protestën në shkatërrim të pronës publike. Sipas tij, shkolla e asaj kohe u kishte mësuar të dallonin regjimin nga shteti.

Por a ishte kjo vetëm meritë e shkollës? Studentët e vitit 1990 ishin formuar në një realitet shumë më të gjerë se ajo. Kishin jetuar në familje ku shpesh thuhej ndryshe nga çfarë mësohej në klasë. Kishin përjetuar mungesën e lirive, kufizimet ekonomike dhe kontrollin politik. Kishin mësuar çfarë duhej të mendonin, por kishin filluar të mendonin ndryshe.

Shkolla i edukoi për t’i qëndruar besnikë regjimit. Ata zgjodhën ta kundërshtonin.

Kjo dëshmon se njeriu mund të zhvillojë bindje të ndryshme nga ato që synon t’i formojë shkolla.

Ka një ide të rëndësishme në shkrimin e Blushit. Shkolla duhet t’i mësojë fëmijët të dallojnë shtetin nga qeveria. Por formimi qytetar shkon edhe më tej. Shkolla nuk duhet të edukojë bindjen e verbër ndaj pushtetit. Ajo duhet të zhvillojë aftësinë për ta gjykuar atë, për të dalluar ligjin nga arbitrariteti, autoritetin nga abuzimi dhe protestën nga dhuna.

Ky është edukimi qytetar. Jo bindja, por gjykimi. Jo frika, por përgjegjësia.

Një nxënës që nuk hedh gurë vetëm sepse ka frikë nga polici nuk është domosdoshmërisht qytetar i përgjegjshëm. I tillë është ai që nuk hedh gurë edhe kur nuk ka polic përballë, sepse e kupton se xhami që thyen nuk është i qeverisë. Është i një shkolle, i një dyqani ose i një institucioni që u shërben të gjithëve.

Këtë duhet t’i mësojë shkolla. Por këtë duhet ta dëshmojë edhe shoqëria. Është e vështirë t’i mësosh një fëmije respektin për ligjin, kur ai sheh të rritur që e shkelin dhe nuk ndëshkohen. Është e vështirë t’i mësosh meritën, kur ai sheh se karriera mund të ndërtohet me lidhje politike. Shkolla nuk jeton në një ishull.

Në përfundim të shkrimit, Blushi thotë se fëmijët po na godasin me gurët e shkollave që kemi shkatërruar. Dhe shton: «Dhe po bëjnë mirë. E meritojmë.»

E kuptoj revoltën që shpreh kjo metaforë. Ajo na kujton se shoqëria duhet të mbajë përgjegjësi për mënyrën si i edukon brezat e rinj. Por të kuptosh përse një i ri hedh gurë nuk do të thotë t’i japësh të drejtën t’i hedhë. Të pranosh përgjegjësinë e shoqërisë për edukimin e tij nuk do të thotë t’ia heqësh përgjegjësinë për veprimet që kryen.

Shkolla shqiptare ka probleme serioze. Duhet të diskutojmë për cilësinë e mësimdhënies, formimin e mësuesve, përmbajtjen e programeve dhe aftësinë e shkollës për të formuar qytetarë. Duhet të pyesim jo vetëm çfarë dinë nxënësit, por edhe çfarë janë në gjendje të bëjnë me atë që dinë. Nëse dinë të argumentojnë, të gjykojnë, të bashkëpunojnë, të kundërshtojnë dhe të marrin përgjegjësi.

Një shkollë mund të jetë e dobët pa qenë shkollë e urrejtjes. Dhe një nxënës mund të marrë vendime të gabuara edhe kur ka pasur mësues të mirë.

Prandaj, në fund, pyetjes së Blushit «Pse po protestojnë fëmijët?», do të doja t’i përgjigjesha me një pyetje për vetë autorin: Pse dy të rinj që kanë ndjekur të njëjtën shkollë reagojnë ndryshe përballë së njëjtës padrejtësi?

Ben Blushi i gjen gurët në gërmadhat e shkollës. Është një metaforë që të bën të mendosh. Por gurët mund të kenë edhe prejardhje të tjera. Nga familja, nga politika, nga përvojat e jetës, nga një shoqëri që jo gjithmonë u ofron të rinjve modelet që u kërkon të ndjekin.

Dora që e hedh gurin nuk është formuar vetëm në shkollë.

Prandaj, nëse duam të dimë përse e hedh, nuk mjafton të kontrollojmë dëftesën e tij. Duhet të shohim edhe jetën e tij. Dhe shoqërinë tonë.

Sepse fëmijët nuk i ka krijuar vetëm shkolla. Në formimin e tyre kemi marrë pjesë të gjithë. Dhe secili duhet të mbajë pjesën e vet të përgjegjësisë.

Edhe shkolla. Por jo vetëm ajo.

Burimi: Opinion

Tags: KryesoretOpinion
SendShare2Tweet2

Lajmet e fundit

Macron: Zemërim dhe turp! Kush ka shkatërruar duhet të paguajë dhe të dëmshpërblejë

18/10/2026

VIDEO / Protestuesit strehohen në PD, policia hedh gaz pranë selisë blu, tensione në oborr

18/10/2026

10 efektivë të plagosur në Komisariatin Nr.3, Hita: Zjarri rrezikoi edhe të shoqëruarit në qeli

18/10/2026

“Berisha është zjarrvënësi i Shqipërisë” / Zef Brozi: Financon molotovistët, SPAK po nxit dhunën

18/10/2026

“Janë qytetarët tuaj që kanë dalë në rrugë”, Moska i përgjigjet Ramës për ndërhyrje në protestat në Shqipëri

18/10/2026

“Dhuna sjell vitin ‘97”, profesori amerikan Daniel Serwer: Çdo ndryshim duhet të vijë vetëm përmes votës

18/10/2026

Protestë edhe para Parlamentit, sulmohen me molotovë efektivët e policisë

18/10/2026

Ditën gurë në bulevard, në mbrëmje plaçkitje në biznese

18/10/2026

“Nuk është protestë studentore, por…”/ Meçe: Berisha, Shehaj dhe Qori, bashkim për destabilizimin e Shqipërisë

18/10/2026

Nga Lisbona, Milano e deri në Tiranë… The Guardian shkrim për protestat nëpër Europë

18/10/2026

Pamje të rënda, protestuesit sulmojnë efektivin pas shpine dhe e “masakrojnë” me shkelma dhe shkopinj druri

18/10/2026

Në kërkim të negociatorit të paqes

18/10/2026

VIDEO / Rikthehet “mitralozi” i fishekzjarreve, kush është i maskuari që sulmon Policinë dhe pse nuk është ndaluar?

18/10/2026

FOTOLAJM / Sulmohet edhe Ministria e Brendshme, flakët përfshijnë hyrjen kryesore

18/10/2026

Jepen masat për 31 protestues, “detyrim paraqitje” për të rriturit dhe “mbikëqyrje prindërore” për 9 të mitur

18/10/2026
Facebook Twitter Instagram LinkedIn
AlbTimes

Të fundit

  • Macron: Zemërim dhe turp! Kush ka shkatërruar duhet të paguajë dhe të dëmshpërblejë
  • VIDEO / Protestuesit strehohen në PD, policia hedh gaz pranë selisë blu, tensione në oborr

Shfletoni

  • Botë
  • Dossier
  • Editorial
  • Jetë
  • Kronikë
  • Kryesore
  • Kuriozitete
  • Opinion
  • Politikë
  • Sociale

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
SAVED POSTS

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.