Nga Ilir Demalia
Prej katër ditësh, Tirana është e kuqe, jo nga fishekzjarrët e festave, por nga flakët e dhunës dhe vandalizmit.
Ajo që po ndodh nuk mund të justifikohet me të drejtën e protestës. Huliganizmi, shkatërrimi i pronës, plaçkitja e bizneseve dhe sulmi ndaj institucioneve nuk janë protestë, por akte kriminale që duhen ndëshkuar nga ligji.
Nuk besoj se mund të identifikohen të gjithë ata që dalin në rrugë me studentët, ashtu siç nuk mund të quhet student apo protestues paqësor çdo person që shfaqet në turmë. Një i ri që proteston për të ardhmen e tij nuk është i njëjtë me atë që thyen vitrinat, plaçkit dyqanet dhe largohet me mallrat e vjedhura, nga patatinat te celularët. Këto janë dy realitete krejt të ndryshme, që nuk duhen ngatërruar për interesat e askujt.
Studentët dhe qytetarët kanë të drejtë të protestojnë kundër korrupsionit, padrejtësive dhe arrogancës së pushtetit. Por ai që del në rrugë për të grabitur celularë e për të shkatërruar biznese nuk është zëri i qytetarit të revoltuar, por shkelës i ligjit. Protesta është e drejtë; dhuna dhe grabitja janë krim.
Pas këtyre akteve qëndrojnë dhe shërbime të huaja që po përdorin segmente politike dhe mdiatike në bashkepunim e kordinim, jo vetëm me fqinjët tanë ne veri-lindje si kapuçonë të zi e me flamurë e xhoka me shqiponje por edhe me çallmat dhe ferexhet e Iranit të Maqedonise.
Unë nuk besoj kurrë qe në këto grupe janë studentët si “kapuçonë të zi” që shkatërrojnë dhe djegin Ministrinë e Arsimit, që nuk është e Kumbaros ministres me të përfolur për korrupsion dhe as e Partisë Socialiste.
Maqedonasit kanë djegur goninën e Kongresit të Manastirit të krijimit te alfabetit të gjuhës shqipe me në krye At Fishtën. Ata burra intelektuale dhe rilindas na dhuruan alfabetin latin me orientim oksidental dhe jo me cirilikat sllave apo harfet turke.
Kësaj lëvizje që pritej dhe eshte e organizuar me një strategji dhe organizim guerrilas është për të gjunjëzuar Shqipërinë në zhvillimin e saj ekonomik, demokratik dhe integrimin europian. Është detyrë e shërbimeve të provohet përmes hetimeve dhe fakteve.
Por një gjë është e qartë: Shqipëria nuk mund të lejojë që pakënaqësia qytetare të shndërrohet në instrument destabilizimi, qoftë nga interesa të brendshme politike, qoftë nga aktorë të jashtëm që mund të përfitojnë prej dobësimit të shtetit shqiptar.
Në këto raste sherbime të huaja me segmente të brëndëshme mediatike-politike, manipulijnë turmat
Friedrich Nietzsche, në mendimin e tij mbi turmën, vullnetin dhe përgjegjësinë individuale, na paralajmëron për rrezikun e humbjes së gjykimit kur individi ia dorëzon arsyen turmës. Ideja mund të përmblidhet kështu: kur forca shkëputet nga arsyeja dhe përgjegjësia, ajo mund të shndërrohet në shkatërrim.
Jemi në këtë pikë
Në turmë, njeriu shpesh ndihet më i fortë se ç’është, më i sigurt se ç’duhet të jetë dhe më pak përgjegjës për atë që bën. Manipulimi i turmës dhe mungesa e përgjegjësisë dhe përdorimi i zemërimit qytetar për interesa që nuk kanë lidhje me të mirën publike sjell shkatërrime afat gjata dhe me kosto financiare politike dhe pasoja.
Shqipëria ndodhet në një rajon me interesa gjeopolitike të ndërlikuara dhe nuk mund të përjashtohen përpjekjet për të shfrytëzuar dobësitë tona. Por një gjë duhet ta kemi mesuar nga historia, kur në lojë futen turma të perpunuara nga interesa të huaja që historikisht kanë dashur të shkatërrojnë Shqipërinë me segmente politike dhe fetare në shërbim të këtyre forcave për të futur Shqipërinë në kaos dhe anarki, deri dhe në luftë civile per realizimin e agendave antishqitare, atehere këtu jo vetëm që nuk ka agende patriotike dhe për nje jetë me të mirë, por realizojme shkaterrimin e Shqipërisë. Por rreziku më i madh për ndërhyrjet e jashtme është dobësia që prodhojmë vetë shqipëtaret korrupsioni, polarizimi dhe mosbesimi ndaj institucioneve.
Korrupsioni, klientelizmi, arroganca dhe mungesa e llogaridhënies ushqejnë zemërimin qytetar. Por gabimet e qeverisë nuk mund të përdoren si alibi për të djegur, plaçkitur e shkatërruar vendin. Asnjë qeveri nuk është mbi ligjin, por asnjë opozitë nuk ka të drejtë ta zëvendësojë demokracinë me dhunën e rrugës.
Edi Rama, me gabimet dhe përgjegjësitë e qeverisjes së tij, mbetet kryeministri i dalë nga procesi demokratik. Ndryshimi i pushtetit duhet të vijë përmes zgjedhjeve, institucioneve dhe ligjit, jo përmes huliganizmit. Nëse ka shkelje, ato duhet të hetohen; nëse ka korrupsion, ai duhet të ndëshkohet. Por shkatërrimi i shtetit nuk është zgjidhje për korrigjimin e gabimeve të tij.
Duhet të pranojmë edhe një të vërtetë historike: Shqipëria doli nga diktatura pa përvojë të mjaftueshme demokratike, me institucione të brishta dhe me një kulturë politike të deformuar nga autoritarizmi, mentaliteti fisnor, klientelizmi dhe trashëgimia fshataro-bajraktare. Këto nuk janë tipare të çdo shqiptari, por probleme historike e shoqërore që nuk zhduken brenda një brezi. Demokracia kërkon kohë, edukim qytetar, përgjegjësi dhe institucione që funksionojnë.
Megjithatë, tranzicioni nuk mund të shërbejë pafundësisht si justifikim për dështimet. Pas 36 vjetësh, politika duhet të mbajë përgjegjësi, media duhet të informojë dhe drejtësia duhet të veprojë pa dallime partiake. Një pjesë e medias, në vend që të qartësojë të vërtetën, shpesh e ushqen polarizimin dhe e kthen krizën në spektakël e interes financiar duke i hedhur benzin zjarrit. Kjo nuk është patriotike jo e jo por as profesionale.
Si në 1997 edhe sot media shqiptare, jo që nuk po luan një rol si pushtet i katërt dhe nuk e ka luajtur këto 36 vjet por ajo ka qenë trafikante e influencave politike për përfitime financiare nga pushtetet e radhës. Ashtu si politika edhe media kur situata arrin në pikat e vlimit segmente politike së bashku me median i hedhin benzin zjarrit për të larë duart si Ponc Pilata dhe për të filluar martesën me pushtetin e ri duke ruajtur privilegjet financiare të vjetra. Kjo jo vetëm nuk është profesionale dhe patriotike, por është kriminale për vendin.
Ku janë ata elitat intelektuale që rrahin gjoks ne mediat me pagesat marramendëse si shërbëtore pushtetesh?!
Shqipëria së pari ka nevojë për paqe sociale dhe mendje të ftohta jo për të ndërruar banda politike-mediatike-intelektuale si këto 36 vjet, për të ruajtur Shqipërinë dhe ndërtuar atë me drejtësi-barazi- mirëqenie.
Në një botë të tronditur nga luftërat, krizat ekonomike, pabarazia dhe pasiguria sociale, Shqipëria nuk ka luksin të shkatërrojë stabilitetin e vet. Dhuna, korrupsioni dhe përplasjet e pafundme pengojnë investimet, dobësojnë besimin e partnerëve europianë dhe largojnë vendin nga standardet e integrimit.
Shqipëria ka nevojë për shtet të fortë, jo për shtet arbitrar; për drejtësi, jo për hakmarrje; për protesta, jo për plaçkitje; për ndryshim demokratik, jo për ndërrim bandash politike.
“Si janë shqiptarët? Si i don hasmi.”
A do të vazhdojmë të përçahemi, të shkatërrojmë njëri-tjetrin dhe t’u japim të tjerëve mundësinë të përfitojnë nga dobësitë tona? Apo do të kuptojmë më në fund se kritika ndaj qeverisë dhe mbrojtja e shtetit nuk janë kundërshti?
Shqipëria ka nevojë për paqe sociale, drejtësi dhe përgjegjësi kombëtare. Jo për paqe me korrupsionin, por për paqe përmes ligjit. Jo për heshtje ndaj pushtetit, por për demokraci që nuk e djeg shtëpinë e vet.
Burimi: Opinion
