Liderët evropianë kanë arritur që të miratojnë në mesnatë konkluzionet për zgjerimin duke theksuar rëndësinë e vijimit të këtij procesi si një investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet.
Shteteve kandidate Këshilli Evropian u rikujton vijimin e reformave veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit.
“Vendet që aspirojnë anëtarësimin duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre reformuese, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, në përputhje me parimin e meritokracisë që karakterizon procesin e anëtarësimit. Këshilli Evropian rikujton se procesi i anëtarësimit bazohet në meritokraci dhe se çdo vend kandidat përparon në negociatat e anëtarësimit në bazë të progresit të tij individual”, thuhet në njoftim.
Liderët e kanë vlerësuar edhe strategjinë e re të zgjerimit të propozuar nga komisionerja Kos.
“Këshilli Evropian përshëndet punën që po kryhet për hartimin e traktatit të anëtarësimit me Malin e Zi. Ai merr shënim synimin e Presidencës irlandeze të Këshillit për të punuar drejt mbylljes së përkohshme të kapitujve të mbetur të negociatave, duke pasur parasysh zbatimin e reformave përkatëse nga ana e Malit të Zi”, thuhet në njoftim.
Vetë kreu i Këshillit Evropian Antonio Costa në një postim në X u shpreh:
“Këtë javë patëm konferenca ndërqeveritare me Malin e Zi, Ukrainën, Moldavinë dhe Shqipërinë. procesi i pranimit po bën përparim i nxitur nga reformat,. Në të njëjtën kohë, ne duhet që të përgatitemi për të mirëpritur anëtarët e rinj në familjen e BE-së”, tha presidenti i KE, Antonio Costa.
Më 28 Tetor Komisioni Evropian do të publikojë progres reportet vjetore për shtetet kandidate.
Burimi: Kryesore
