Nga Fatos Çoçoli
Sot, me përshkallëzimin e akteve të dhunës dhe vandalizmit, me plaçkitjen jo vetëm të bizneseve tregtare, por edhe të bankave, është prekur rëndë rendi kushtetues dhe siguria publike e qytetarëve dhe e Shtetit.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenet 170–176, parashikon regjimin e masave të jashtëzakonshme, e gjendjes së jashtëzakonshme. Gjendja e jashtëzakonshme nuk është instrument për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike, për të ndaluar opozitën apo për të kufizuar protestat qytetare, vetëm sepse ato janë të forta dhe të vazhdueshme.
Në kushtet kur këto protesta janë shndërruar në demonstrata të dhunshme, që rrezikojnë të paralizojnë jetën e vendit, ekzistojnë rrethanat kushtetuese dhe ligjore që e bëjnë të domosdoshme ndërhyrjen e jashtëzakonshme të shtetit.
Kjo, sepse ekziston një rrezik real dhe i rëndë për zerimin e rendit kushtetues dhe të sigurisë publike. Nga të gjithë qytetarët e gozhduar pranë ekraneve televizive, u pa qartë sa të pamjaftueshme janë përpjekjet dhe mjetet e zakonshme të policisë dhe të institucioneve të tjera kompetente.
Sot, vendosja e Gjendjes së Jashtëzakonshme për një kohë të pacaktuar,është masa e domosdoshme dhe proporcionale me rrezikun.
A duhet të dalë ushtria në rrugë për të vendosur rendin? PO!
Vendi mund të shpëtohet vetëm përmes mbrojtjes së ushtrisë. Forcat e Armatosura kanë mision kushtetues në mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe tërësisë territoriale të vendit. Kushtetuta dhe legjislacioni përkatës përcaktojnë gjithashtu kushtet dhe kufijtë e angazhimit të tyre në rrethana të veçanta.
Sigurisht, ushtria nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në zëvendësuese të policisë, të prokurorisë apo të institucioneve të tjera civile. Mirëpo, kur dështon ruajtja e rendit publik, përgjegjësi e organeve të ngarkuara me ligj për këtë detyrë, Gjendja e Jashtëzakonshme është ajo që do të na shpëtojë.
Nëse një situatë e jashtëzakonshme e bën të nevojshëm angazhimin e Forcave të Armatosura, kjo duhet të bëhet vetëm sipas procedurave ligjore, me mandat të qartë, kompetenca të përcaktuara dhe mbikëqyrje institucionale. Kuvendi mund të mblidhet edhe online, në pamundësi fizike të deputetëve dhe këta të votojnë online nga celularët e tyre vendosjen e Gjendjes së Jashtëzakonshme.
Shteti duhet të mbrojë qytetarët, institucionet dhe bizneset. Ngjarjet e 14-15 tetorit 2026 kanë cenuar rëndë sigurinë e qytetarëve, kanë dëmtuar institucionet dhe kanë vënë në rrezik bizneset dhe aktivitetiun normale të vendit. Prandaj edhe përgjigjja shtetërore duhet të jetë konkrete dhe e fortë.
Prioritetet duhet të jenë mbrojtja e jetës dhe e integritetit fizik të qytetarëve, garantimi i funksionimit të institucioneve publike, pa ndërhyrje të dhunshme, si dhe mbrojtja e pronës publike dhe private nga shkatërrimi dhe grabitja.
Një shtet i fortë nuk matet nga numri i forcave që nxjerr në rrugë, por nga aftësia për të garantuar sigurinë, për të zbatuar ligjin dhe për të mbrojtur qytetarët, pa cenuar të drejtat e tyre.
Burimi: Opinion
