Nga Artur Ajazi
Ajo ç’ka pamë dhe dëgjuam në protestën e të martës, na bën të besojmë se, “protesta nuk është as e studentëve, dhe as e pavarur”.
Pra, “Rama në burg Berisha në burg”, dhe mungesa e një lideri dhe drejtuesi, na shpjegon qartë faktin se, “një dorë e padukshme po luan me fatet e vendit”. Nuk është aspak skeptike, aspak e pabesueshme, aspak e paimagjinueshme. Gjithmonë protestat e dhunshme, kanë pas tyre, një “makineri” të fuqishme e cila drejton, udhëzon, vepron, dhe vendos mbi fatin e atyre që ajo i përdor si “protestues paqësor”.
Por duke u rikthyer tek protesta më e dhunshme dhe më e turpshme e të martës, dua të theksoj faktin se, policia dhe strukturat e saj, e ruajtën qetësinë, deri në momentin kur u sulmuan, deri në momentin kur faktuan se, “protestuesit paqësorë” nisën sulmet e pakuptimta ndaj institucioneve, dyqaneve, qytetareve, koshave të plehrave, etj. Tirana mbrëmjen e të martës, u rikthye në shesh lufte, duke sjellë shkatërrime, frikë, ankth, shqetësim tek banorët e kryeqytetit, dhe shkatërrim të bizneseve. Kjo është e tepruar, e patolerueshme. Shteti tregon “muskujt” e tij, kur cenohet rendi dhe qetësia e qytetarëve, kur cenohet prona publike dhe private të digjet dhe shkatërrohet nga turma të pamotivuara dhe të çoroditura.
Do të isha dakord me protestën, sikur ata të kishin në krye “prijësin” e tyre, drejtuesin, ashtu siç kishte protesta e Studenteve të Dhjetorit 1990. Do isha dakord me ata, në rast se do të kishin përfaqësinë e tyre legale, e do të kërkonin përballje me kryeministrin, kryetarin e Parlamentit, apo dhe me çdo drejtues tjetër shtetit. Por e tepruan. Tirana nuk i ka borxh askujt, ti prishet qetësia, terezia, ti frikësohen fëmijët, ti stresohen banorët e saj, sepse duhet të përmbushin “misionin e tyre” një turmë e çakërdisur njerëzish. Ata nga e marta, nuk janë më “studentët e pavarur”, as “studentët e lirisë”, por janë turma që veçse shkatërrojnë, dhunojnë, djegin, dhe nuk duan paqe, liri, rend, qetësi.
Dhe në këto kushte, unë dhe shumica e shqiptareve, përkrahim strukturat e shtetit, ata bij nënash, që kanë 4 muaj që rropaten rrugëve dhe bulevardeve të Tiranës, duke u ardhur mbrapa atyre që, dalin në sheshe dhe nuk dine as vetë se ç’duan. Nuk e dinë as vetë (veç kokës dhe dorës që i drejton) se ku duan të dalin, se ç’duan të arrijnë me protestën e tyre, duke abuzuar hapur fare me durimin e tolerancën e shtetit. Më gjenin një vend në Europë, apo kudo në botë, që do të toleronte kaq maksimalisht një turmë që nuk pranon as dialog, as kompromis, as debat, as ujdi ?
Ndaj them se, e tepruan, dhe po e “trashin zullumin”. Para interesave të qytetarëve dhe interesave të Shqipërisë, kurrë nuk duhet të vihen interesat e një grupimi apo turme. Koha është të zbatohet ligji, dhe vetëm ligji. Kaq.
Burimi: Opinion
