Këshilli Shqiptar i Medias ka denoncuar dhunën e ushtruar ndaj gazetarëve gjatë mbulimit të protestave të datës 13 tetor.
Në një deklaratë të shpërndarë në rrjetet sociale, KSHM shprehet se dhuna ndaj gazetarëve është e papranueshme dhe e dënueshme.
“Dhuna e raportuar nga AGSH ndaj gazetarëve Izmir Akulli (Dosja.al), Anesti Bajramemaj dhe Heri Simota (A2 CNN), Vjolanda Peca (Citizens.al), dhe Fatime Halmusaj; si dhe kërcënimet ndaj gazetarit Xhoi Malësia (Top News) është e papranueshme, e dënueshme, dhe kundër çdo standardi europian të lirisë së shtypit dhe mbrojtjes së gazetarëve”, shprehet KSHM.
Sipas këtij institucioni, “kjo dhunë, shkon de facto kundër krejt procesit për të vendosur standarde të mbrojtjes së gazetarëve dhe lirisë së medias, proces ku Qeveria Shqiptare është përfshirë. Ushtrimi pa asnjë kujdes e as veçim i kësaj dhune ndaj gazetarëve ngre dyshime që angazhimi i Qeverisë Shqiptare për standardet e lirinë e medias mbetet vetëm në tavolina e në letër, por, nuk reflektohet në sistem e strukturë”.
KSHM u bën thirrje organeve përkatëse që të marrë seriozisht denoncimet e gazetarëve dhe të reagojë me veprime, pa asnjë ekuivok ndaj kësaj dhune.
Burimi: Kronikë
