Demokratët dënuan dhunën e policisë në protestën e studentëve para Ministrisë së Arsimit duke krahasuar me atë të protestave të dhjetorit 90 që sollën rënien e regjimit.
“Skena që na kujtojnë për fat të keq protestat studentore të viteve ‘90. Madje dhe atëherë, kur u përmbys një regjim, dhuna e ushtruar ndaj studentëve nuk ka qenë kaq disproporcionale, kaq e egër, kaq gratis, kaq me qëllim t’i frikësojë”, tha deputeti i PD Ivi Kaso. “Të vijë ministri i Brendshëm dhe kushdo tjetër që ka lidhje me atë sjelljen e djeshme të policisë dhe të japë shpjegime se kush ka dhënë urdhër të dhunojnë studentët”.
Përfaqësuesit e maxhorancës u distancuan nga sjellja e policisë jashtë kriterit të proporcionalitetit duke kërkuar që dhuna të dënohet në të dyja kahet e përdorimit të saj. Në krahasimet mes protestave, Fatmir Xhafaj rikujtoi 21 Janarin.
“Protesta e dhunshme është e dënueshme dhe dhuna e çdo lloji nuk mund të tolerohet”, tha ai. “Nuk pajtohem kurrë me tejkalimin e kompetencave të policisë. Unë kam qenë vetë protestues siç tentuat ju të ishit dije dhe e kam pranuar edhe kundërshtimin dhe forcën e policisë. E kam provuar dhe mbi kurriz. Nuk kam pranuar një gjë, që janë vrarë katër njerëz në një protestë të lirë qytetare”.
E njëjta skenë edhe në komisionin e ekonomisë. “Mua më kujton vetëm se jam dhe dëshmitar mizorinë e fundit të regjimit të Enver Hoxhës ndaj studentëve”, tha deputeti i PD, Eno Bozdo. “Nuk ka pasur ndonjëherë një dhunë të tillë të pashkak, të paprovokuar”.
“Në fakt këto rastet e dhunës janë raste që duhen parë me kujdes. Edhe ne distancohemi nga dhuna, por dhuna duhet analizuar me gjithë dimensionin e vetë sepse nuk ishte policia ajo që inicioi dhunën”, tha Milva Ekonomi.
Prezent në këtë komision ishte zëvendës ministri i Brendshëm, Xhemal Qefalia, që garantoi se do të mbajnë përgjegjës efektive të përfshirë në akte të dhunshme.
“Organet përkatëse të cilët monitorojnë edhe punonjësit e policisë patjetër që janë të vëmendshëm për të ndëshkuar këdo i cili tejkalon kërkesat që ka të përcaktuar rregullore mënyrën se si duhet sjellë. Në të njëjtën kohë inkurajojmë punonjësit e policisë për të zbatuar detyrën përputhje me ligjin”, tha ai.
Pasi shprehën qëndrimet e tyre, deputetët e opozitës braktisën mbledhjet ku merrnin pjesë.
Burimi: Politika
