Sadleva Bodo është emëruar në krye të Drejtorisë së Burgjeve pas lirimit nga detyra të Adriatik Kupi. Vendimi është marrë ditën e djeshme në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Adriatik Kupi njoftoi dy ditë më parë dorëheqjen nga detyra pas shtatë muajsh në drejtimin e këtij institucioni.
Njoftimi zyrtar:
“Agjencia për Media dhe Informim ju bën me dije vendimet e miratuara në mbledhjen e sotme të qeverisë datën 14.10.2026:
Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e vendimeve:
-Për lirimin dhe emërimin në detyrë të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.
Adriatik Kupi, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, lirohet nga kjo detyrë.
Znj. Sadleva Bodo emërohet drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve”, thuhet në njoftim.
Sadleva Bodo ka ndërtuar një karrierë të gjatë në administratën publike, duke mbajtur disa pozicione të rëndësishme në Ministrinë e Brendshme dhe më pas në Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Përpara se të kalonte në BKH, Bodo ka shërbyer si këshilltare ligjore e drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ndërsa më herët ka ushtruar detyrën e drejtoreshës së Drejtorisë së Integrimit Europian, Koordinimit, Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe Asistencës në Ministrinë e Brendshme.
Burimi: Kronikë
