Kryeministri Edi Rama do t’i drejtohet Pallatit të Brigadave menjëherë pas kthimit nga Luksemburgu, në kuadët të Konferencës së 10-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, për të zhvilluar një mbledhje të zgjeruar me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste dhe ministrat e kabinetit qeveritar.
Gazetarja Rugova Dunishi raporton se në fokus të takimit do të jetë raportimi mbi ecurinë e nismës “Prania Besnike”, ku deputetët socialistë do të kenë në dispozicion nga dy minuta secili për të parashtruar pyetje, diskutime apo çështje që lidhen me këtë proces.
Një tjetër pikë e rendit të ditës do të jetë prezantimi i “Pasqyra Albania”, ndërsa në përfundim të mbledhjes pritet të mbajë fjalën e tij kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla dhe kryeministri Edi Rama.
“Do të jetë një mbledhje e zgjeruar mes Grupit të PS-së dhe kabinetit qeveritar në Pallatin e Brigadave, në vazhdën e takimeve të përmuajshme. Në këtë mbledhje do të diskutohen dy pika kryesore: “Prania Besnike” dhe “Pasqyra Albania”. Raportimet përkatëse do të bëhen nga ministrat dhe deputetët. Secili deputet do të ketë dy minuta kohë për të prezantuar problematikat e mbledhura në terren përmes nismës “Prania Besnike”. Gjatë takimit do të diskutohen problematikat e evidentuara dhe do të arrihen konkluzionet përfundimtare.
Në përfundim, fjalën do ta mbajë kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, dhe më pas kryeministri Edi Rama”, deklaroi gazetarja.
Takimi pritet të shërbejë si një mundësi për të diskutuar mbi ecurinë e nismave të Partisë Socialiste, për të dëgjuar shqetësimet dhe pyetjet e deputetëve, si dhe për të përcaktuar porositë për vijimin e punës politike dhe qeverisëse.
Burimi: Politika
