AlbTimes
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
AlbTimes
Home Opinion

Në 95-vjetorin e lindjes se Dritëroit: Një vizitor i papritur në mes të acarit

by Alb Times
13/10/2026
in Opinion
6
0
Në 95-vjetorin e lindjes se Dritëroit: Një vizitor i papritur në mes të acarit

Foto: Opinion

6
SHARES
301
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Nga Hamdi Jupe

Në dëborën e madhe, një metër të trashë, të janarit të vitit 1985, Dritëro Agolli erdhi në Peshkopi bashkë me shkrimtarin Anastas Kondo. Nëpër qytet nuk lëviznin makinat prej akullit. Jeta dukej sikur kishte ngrirë në vend. Në televizor jepeshin kronikat me helikopterët e ushtrisë që shpërndanin ndihma ushqimore nëpër fshatrat e thella të izoluara të veriut. Në Kukës kishin humbur jetën njerëz nga orteqet. Qumështi në qytet shpërndahej nëpër dyqane me traktor me zinxhirë. Isha mësues në gjimnazin e qytetit, por të gjitha shkollat e veriut ishin mbyllur prej dëborës.

Ata erdhën me një makinë të lartë fuoristradë, prodhim rumun, e tipit “Aro”, me goma me zinxhirë, të cilën e kishin marrë për atë udhëtim nga Rezervat e Shtetit. Se si erdhën dhe se si u shfaqën atje papritur si lugetër, në mes të acarit, një dreq e merrte vesh. Rruga Tiranë – Peshkopi në kohë të mirë kërkonte nja pesë orë. Ndërsa në kohë të keqe mund të mbeteshe në vend, të paktën në nja pesë pika të rrezikshme. Kisha patur rast ta provoja këtë në janar, duke mbetur i bllokuar per nëntë orë në Qafën e Buallit me autobuzin e linjës Tiranë – Peshkopi. Por ata erdhën.

Ardhja e tyre ishte një ngjarje e veçantë për qytetin e vogël të izoluar verior, jo vetëm se ishin shkrimtarë të njohur, por edhe për aktin që kishin bërë, duke çarë dëborën me zor, duke kaluar nëpër kiamet, me kokën në torbë, derisa kishin mbërritur atje. Një arsye më shumë për të marrë pjesë në një takim të posaçem të organizuar me ta aty për aty në shtëpinë e kulturës së qytetit te Peshkopise.

Të dy ishin të veshur me xhupa të trashë, me këpucë me qafa, me kokore pellushi dhe me doreza leshi. Kuptohej se këto i kishin marrë borxh diku, sa për të ardhur në Dibër, sepse në Tiranë nuk mbaheshin veshje të tilla. Nuk mund të vije në Peshkopi në ato ditë i veshur si levend. Ata e dinin këtë, se ishin njerëz të bredhur edhe më parë nëper zona të tilla. Tek i shihje të veshur ashtu, të dukeshin si dy gjahtarë që kishin dalë për të gjuajtur thëllëza në dëborë. Por nuk ishte kohë per thëllëza.

Duke qenë edhe ata të “udhëheqjes”, se ishin anëtarë të Komitetit Qendror dhe deputetë, u sistemuan për të fjetur te Shtëpia e pritjes, vila e udhëheqjes në Peshkopi, se në hotel nuk kishte ngrohje, në temperaturë minus dhjetë gradë Celsius të atyre ditëve. Por ata dolën shpejt andej dhe erdhën te Shtëpia e Kulturës. Salla e vogël ishte e ftohtë, megjithëse kishte ngrohje. Kjo nuk i pengoi pjesëmarrësit të vinin.

Ishte një takim i çlirët. Njerëzit flisnin lirshëm për kohën, për motin, për vështirësitë që kishte krijuar dimri, për letërsinë etj. Për këtë të fundit u fol më pak, se nuk ishte koha për të. Nuk të linin këmborët e mëdha të dimirt, të dëgjoheshin zilkat e vogla të letërsisë. Dritëroi, me atë të folurën e tij të ngadaltë dhe të thjeshtë prej fshatari, tha se “do të kalojë edhe kjo situatë e vështirë, bora do shkrijë dhe ne do kemi më shumë ujë në liqenet e hidrocentraleve tona. Dhe ky ujë një dite pastaj do te kthet në dritë.” Ishin përfunduar të tre hidrocentralet e mëdhenj mbi lumin Drin dhe e gjitha kjo deborë, një ditë do të përfundonte në basenet e tyre. Ky takim ishte si një zjarr i vogël që na ngrohte duart dhe shpirtin në mes të atij acari. Ja edhe nje fotografi e përbashkët e krijuesve dibrane me miqte nga Tirana ne oborrin e shtëpisë së kulturës të mbuluar nga bora ne mbyllje te takimit.

Ishte hera e parë që prekja dorën e tij, atë dorë, që kishte shkruar veprat letrare që u shpjegoja prej vitesh nxënësve në shkollë. Kur u ndamë, rrija e mendoja: ç’e shtyu Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të nisej në pikë të acarit nga Tirana e ngrohtë e të vinte deri në Peshkopi, përmes akullit dhe rreziqeve të shumta? Ai mund të rrinte i qetë në Tiranë, në zyrën e tij, në katin e dytë të Lidhjes, të pinte një kafe të ngrohtë në klubin e saj, të takohej me koleget krijues, të jepte edhe ndonjë intervistë për televizionin shtetror mbi situatën. Pastaj të kthehej në darkë në gjirin e ngrohtë të familjes etj. Dritëroi atëherë i kishte kaluar të pesëdhjetepesat, një moshë jo fort e pershtatshme për aventura në kohë bore.

Isha i bindur që ai nuk kishte marrë ndonjë urdhër nga “lart” për të ardhur atje, se ai ishte vet “lart”. Ishte vetëm “urdhëri” i ndërgjegjes së tij prej shkrimtari që i thoshte se duhet të ishte atje ku është ngjarja. Dhe ngjarja ato ditë ishte atje, në veri, ku bora dhe akulli kishin pllakosur gjithçka. Dhe kjo ngjarje nuk do të perseritej më. Të paktën prej dyzete vjetësh nuk është përsëritur më në vendin tone një situatë e tillë. Kanë ndodhur përmbytje e tërmete, pandemira e te tjera, por borë e tillë, jo. Po e kape, e kape atë çast, përndryshe, ëhë, të iku nga duart. Dritëroi nuk e la t’i ikte.

Përshtypjet për këtë udhëtim në trojet e bardha i hodhi pastaj në një reportazh të botuar në gazetën “Drita” shoqeruesi i tij, shkrimtari Anastas Kondo. Nga reportazhi kuptuam se ata ishin kthyer shëndoshë e mirë në kryeqytet, se rruga ishte po aq e vështirë e me rreziqe edhe në kthim, saqë dukej sikur do të ktheheshin nga Siberia.

Ne mbetëm atje, në humbëtirën e bardhë, ku kishim qenë edhe më parë. Por tani kishim me vete edhe mbresat dhe frymën e ngrohtë të takimit me shkrimtarin e madh, që na kishte mbirë nga dheu e na kishte vizituar, duke na thënë se “bora do shkrijë e do kthehet në dritë”. Kjo na e ngrohte disi shpirtin, se e kuptonim që nuk ishim tërësisht të braktisur në vetminë tone te akullt. Femra nuk kishte në atë takim, se nuk ishte kohë e pershtatshme për daljen e femrave nga shtëpia në atë acar.

Burimi: Opinion

Kë do të votoni për Bashkinë e Tiranës në Zgjedhjet e 9 Majit 2027?
1312 votaKliko mbi kandidatin për të votuar.
Rezultat ilustrues. Jo kampion përfaqësues i elektoratit.
Tags: KryesoretOpinion
SendShare2Tweet2
Kë do të votoni për Bashkinë e Tiranës në Zgjedhjet e 9 Majit 2027?
1312 votaKliko mbi kandidatin për të votuar.
Rezultat ilustrues. Jo kampion përfaqësues i elektoratit.

Lajmet e fundit

Rama publikon pamjet nga festimet e 28 Nëntorit në Vlorë, atmosfera kuqezi në qytetin e Pavarësisë

28/11/2026

Përfundon tubimi i 28 Nëntorit, dhjetëra të lënduar dhe 16 të shoqëruar

28/11/2026

Zjarr në një servis automjetesh në Fier, flakët rrezikojnë makinat dhe bizneset pranë tij

28/11/2026

Pasojat e protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nis pastrimi i rrugës me fadromë

28/11/2026

Begaj në 114-vjetorin e Pavarësisë: Nga vendi më i izoluar në Europë, sot anëtar i NATO-s dhe në rrugën drejt BE-së

28/11/2026

Burj Khalifa vishet kuqezi për 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Rama publikon pamjet spektakolare

28/11/2026

Berisha akuzon Policinë për dhunë ndaj protestuesve: Rama përdori të gjitha mjetet për të shuar protestën

28/11/2026

Policia ndërhyn sërish në Sheshin Skënderbej, shpërndan turmën e protestuesve

28/11/2026

VIDEO/ Balla: Shqipëria i vetmi vend ku lëndohen më shumë efektivë se protestues

28/11/2026

Ndryshe nga Tirana, muzikë dhe festë në Sheshin e Flamurit në Vlorë

28/11/2026

Sulmi me molotov ndaj Teatrit të Kukullave, Blendi Gonxhja: Dhuna ndaj institucioneve që u përkasin të gjithëve meriton dënim

28/11/2026

Albana Koçiu: Protesta e dhunshme nuk përfaqëson shqiptarët, kjo është fytyra e vërtetë e politikës së rrugës pa rrugëdalje

28/11/2026

Kreshnik Spahiu: 10 mijë protestues nuk mund t’u imponohen shqiptarëve me forcë, protesta ishte partiake dhe jo qytetare

28/11/2026

“Të digjet i gjallë ndonjë polic”, zbardhen mesazhet tronditëse në grupin e organizatorëve të protestës pas sulmit me molotov ndaj efektivit

28/11/2026

Dhunë në Ditën e Pavarësisë! Çfarë ndodhi në tetë orë përballje në rrugët e Tiranës, institucionet sulmohen me gurë e molotovë, të lënduar, tym dhe flakë

28/11/2026
Facebook Twitter Instagram LinkedIn
AlbTimes

Të fundit

  • Rama publikon pamjet nga festimet e 28 Nëntorit në Vlorë, atmosfera kuqezi në qytetin e Pavarësisë
  • Përfundon tubimi i 28 Nëntorit, dhjetëra të lënduar dhe 16 të shoqëruar

Shfletoni

  • Botë
  • Dossier
  • Editorial
  • Jetë
  • Kosovë
  • Kronikë
  • Kryesore
  • Kuriozitete
  • Opinion
  • Politikë
  • Sociale

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
SAVED POSTS

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.