Kryetari i Bashkisë së New York-ut, Zohran Mamdani, ka urdhëruar rishikimin e përdorimit të forcës nga Departamenti i Policisë së New York-ut (NYPD), për herë të parë në dhjetë vjet. Vendimi vjen në një kohë kur po shtohen thirrjet nga politikanët progresistë për më shumë llogaridhënie dhe reforma në polici.
Bashkia njoftoi gjithashtu një paketë masash për të forcuar përgjegjësinë disiplinore të efektivëve të akuzuar për shkelje të rënda. Mes tyre është shtimi me 2,6 milionë dollarë i financimit për Zyrën e Inspektorit të Përgjithshëm, e cila heton politikat dhe sjelljen e policisë. Gjithashtu, synohet krijimi i një sistemi njoftimi që do të sigurojë përfundimin e proceseve disiplinore, përpara daljes në pension të efektivëve.
Nisma vjen pas rastit të Uin Rozarios, 19 vjeç, i cili u vra nga të shtënat e policisë në vitin 2024, gjatë një situate të raportuar si krizë e shëndetit mendor. Sipas zyrës së kryetarit të bashkisë, një nga efektivët e përfshirë doli në pension, përpara se të zhvillohej gjyqi disiplinor ndaj tij.
Presioni për reforma është shtuar edhe pas protestave kundër operacioneve të Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave të SHBA-ve (ICE). Vëmendja është përqendruar te Grupi i Reagimit Strategjik i NYPD-së, një njësi që angazhohet gjatë protestave, ngjarjeve të mëdha dhe situatave të trazirave publike. Shtatëmbëdhjetë politikanë dhe kandidatë politikë në nivel shtetëror kanë kërkuar shpërbërjen e kësaj njësie, duke kritikuar ndërhyrjen e saj gjatë demonstratave.
Politikania Darializa Avila Chevalier deklaroi se ishte shtyrë përtokë nga një efektiv gjatë protestave në lagjen Marble Hill dhe pretendoi se kishte parë raste të tjera të përdorimit të tepruar të forcës. Demonstratat u zhvilluan pas plagosjes për vdekje nga të shtënat e një agjenti të ICE-së të 28-vjeçarit Oscar Belgal, i cili ndodhej në një automjet bashkë me djalin e tij pesëvjeçar. Mamdani e dënoi ngjarjen dhe kërkoi lirimin e Belgalit nga paraburgimi federal, sipas raportimit të paraqitur.
Të dhënat e policisë tregojnë se rastet e raportuara të përdorimit të forcës janë rritur ndjeshëm. Në vitin 2025 u regjistruan 12.348 incidente, kundrejt 4.087 në vitin 2016, kur NYPD-ja nisi mbledhjen e këtyre statistikave.
Ndërkohë, Bashkia ka raportuar rënie të kriminalitetit. Në tremujorin e tretë të vitit, krimet e rënda, përfshirë vrasjet, përdhunimet, sulmet e rënda dhe vjedhjet e mëdha, ranë me 9,4 për qind, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rënia ishte 6,6 për qind.
Burimi: Lajme ndërkombëtare
