Ish-ambasadori Roland Bimo, i ftuar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH, ka vlerësuar rolin historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë dhe Kosovën, ndërsa ka ngritur pikëpyetje mbi qasjen e re amerikane ndaj rajonit. Sipas tij, opinioni publik shqiptar është formuar ndër vite nga perceptimi për rolin vendimtar të Uashingtonit, i cili ka qenë jashtëzakonisht aktiv në politikën shqiptare.
“Ne ja dedikojmë Shteteve të Bashkuara të Amerikës pavarësinë e Shqipërisë, pavarësinë e Kosovës dhe në njëfarë mënyre mbijetesën e kombit shqiptar në formën që është sot. Përndryshe do të ishim ndarë, do të ishim… sot nuk do të ekzistonim, ndoshta do të ishim në fatin e kurdëve. Ky është perceptimi besoj unë në të gjithë Shqipërinë. Kjo përligj interesat e medias sepse opinioni publik është ushqyer edhe nga media, po edhe nga establishmenti politik për rolin e madh që luajnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në jetën e Shqipërisë, të cilat e kanë luajtur. Por i së vërtetës deri në shpalljen non grata të liderit të opozitës, kanë luajtur një rol absolutisht jashtëzakonisht aktiv në politikën shqiptare”, tha Bimo.
Megjithatë, ish-ambasadori vuri në dukje një ndryshim në mesazhet e fundit të ambasadorit tw ri amerikan, duke theksuar mungesën e referencave për integrimin evropian dhe bashkëpunimin rajonal, dy elemente që më parë ishin pjesë e rëndësishme e deklaratave për marrëdhëniet Shqipëri-SHBA.
Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi pozicionin që do të ketë Shqipëria në rikonfigurimin e rendit botëror, në një kohë kur marrëdhëniet mes SHBA-ve, Rusisë, Kinës dhe Evropës po përballen me dinamika të reja.
“Ka një ka një lloj ndryshimi në mënyrën se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shikojnë rajonin. Dhe pjesa kryesore është që ne nga Tirana dhe nga Prishtina dhe në përgjithësi vendet e rajonit tentojnë që të jenë egocentrikë, pra bota shikohet nga Tirana. Dhe si duket bota nga Tirana, nuk ka asnjë lidhje me si duket bota nga Uashingtoni apo nga Brukseli. Në këtë këndvështrim, po ta shikosh këtë rajon nga Uashingtoni dhe nga Brukseli, ka një pamje krejt tjetër nga mënyra se si qarkullon narracioni në Shqipëri. Dhe është shumë e vështirë. Nuk është edhe aq e kollajshme të dallojmë ndarjen e re të botës se ku janë. Sot, në këtë rikonfigurim që po mundohen t’i bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në bashkëpunim me të tjerët, ndoshta jo me evropianët apo me kinezët dhe me rusët botës, ende nuk kuptohet saktë se ku do jetë Shqipëria. Unë po flas për bllokun Shtetet e Bashkuara të Amerikës-Rusi-Kinë, si tre shtylla kryesore të arkitekturës së ardhshme evropiane. Pra janë tre plane: një është rajonal, dy është Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia, kryesisht në rajonin tonë, dhe e treta, e pikëpyetja e madhe, çfarë po ndodh në kampin perëndimor”, tha Bimo.
Burimi: Politika
