Policia ka marrë në pyetje 23 persona gjatë ditës së djeshme dhe sot, në kuadër të hetimeve për vrasjen e Beqir Devollit, i njohur si “Çilo Hundërri”, i cili humbi jetën dy ditë më parë në Gjirokastër.
Grupi hetimor është përqendruar te e shkuara e viktimës, marrëdhëniet që ai kishte me persona të ndryshëm dhe çdo rrethanë që mund të ndihmojë në zbardhjen e motivit të atentatit.
Mes personave të pyetur është edhe Erigers Mela, me të cilin Çilo Hundërri kishte njohje shoqërore. Sipas informacioneve, Mela ka deklaruar para hetuesve se nuk ka asnjë lloj armiqësie me askënd dhe se me viktimën kishte marrëdhënie shoqërore. Të dy njiheshin prej kohësh dhe, sipas burimeve, përdornin shpesh edhe makinat e njëri-tjetrit. Erigers Mela është djali i ish-prokurorit të ndjerë Përparim Mela.
Në polici kanë dëshmuar edhe familjarët e viktimës, të cilët kanë deklaruar se nuk kishin dijeni për konflikte apo armiqësi të tij me persona të tjerë. Sipas tyre, Çilo Hundërri kishte qenë vazhdimisht i shqetësuar, por këtë gjendje e lidhnin me faktin se ishte i papunë.
Hetuesit po analizojnë të kaluarën e tij, njohjet dhe kontaktet, për të kuptuar nëse vrasja mund të ketë lidhje me ndonjë konflikt të mëparshëm. Gjithashtu, po verifikohen rrethanat e lëvizjeve të viktimës dhe mundësia që autorët ta kenë ndjekur përpara atentatit.
Deri më tani, 23 personat e pyetur kanë dhënë informacione për mënyrën se si e njihnin viktimën dhe marrëdhëniet që kishin me të.
Pyetja e tyre nuk do të thotë se ata janë persona të dyshuar për ngjarjen.Sipas burimeve nga grupi hetimor, sasia e lëndës shpërthyese të vendosur në automjet përllogaritet rreth 300 gramë TNT.
Hetimet vijojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të atentatit që i mori jetën Çilo Hundërrit.
Burimi: Kronika