Armand Shakaj i njohur si “Mand dhelpra“, vrasësi gjakftohë, i cili akuzohet se vrau dhe zhduku shokun e tij Eglant Koçi, 34 vjeç, duke e hedhur në një zonë pyllëzuar në fshatin Cerrujë, midis Tiranës dhe Elbasanit, është sot një nga njerëzit më të kërkuar nga Policia e Shtetit. Për Mand Dhelpnën ka një masë sigurie në mungesë arrest me burg për vrasje dhe zhdukje kufome.
Ka dyshime të forta se Shakaj ekzekutoi Koçin në pabesi, pasi e thirri në zyrë dhe i vuri një kafe në tavolinë, për shkak të mosmarrëveshjeve për sigurimin, tërheqjen dhe ndarjen e parave të mashtrimit me call centera.
Mand Dhelpra ka humbur gjurmët që në qershor të këtij viti. Shakaj dyshohet se fshihet nëpër Tiranë. Ai besohet se ka ndryshuar pamjen, duke u qethur zero dhe shenjuar fytyrën, ndërsa ndërron herë pas here vendet ku fshihet, telefonat, numrat e telefonit dhe mjetet me të cilat lëviz. Sipas burimeve, policia e ka lokalizuar disa herë në vende të ndryshme të Tiranës, por si të ishte një dhelpër e vërtetë, ka nuhatur survejimin dhe ka humbur gjurmët.
Në rrethet e policisë Armand Shakaj ka marrë edhe nofkën ‘Dhelpra e Kuqe’, e cila konsiderohet gjerësisht si lloji i dhelprave, me aftësi të rralla për t’u përshtatur dhe fshehur nga zonat urbane, në pyje, në dëborë dhe madje edhe shkretëtirë. Ajo përdor teknika shkencore për të kapur prenë, përfshirë edhe fushën magnetike të tokës për të llogaritur distancën, tjetërsohet, shtiret, kërcen me saktësi dhe fshihet me shpejtësi. Kur ndiqet dhelpra e kuqe ecën edhe mbrapsht mbi gjurmët e veta për të hutuar ata që e ndjekin, kërcen mbi gardhe, maskohet etj.
Policia e ka pasur dy herë pranë Mand Dhelprën. Policia kishte fillimisht dyshime se Mand Dhelpra kishte vrarë dhe zhdukur shokun e tij, një ngjarje që tronditi opinionin publik. Kur ai u paraqit në polici për t’iu përgjigjur pyetjeve nëse e kishte parë, e kishte takuar dhe folur me shokun e tij, Mand Dhelpra inskenoi një gjendje të fikti (Lipotomi), sikur humbi vetëdijen.
Duke pasur dyshime të forta, policia e lejoi të largohej, me qëllim për t’a mbajtur nën monitorim, përgjuar dhe mbledhur prova të tjera për implikimin e tij. Kur policia mblodhi prova të mjaftueshme për t’a arrestuar i telefonoi Mand Dhelprës që të paraqitej në komisariat për të firmosur deklarimin me alibinë e tij. Mand Dhelpra e kuptoi rrengun, fiku telefonin dhe humbi gjurmët.
Meqenëse për krimin që dyshohet se ka kryer (bazuar në prova të pakundërshtueshme) rrezikon burgim të përjetshëm, Mand Dhepra duket se nuk ka ndërmend të dorëzohet, duke vijuar lojën sfiduese me policinë që po e kërkon me prioritet të lartë, me qëllim për t’i shpëtuar përballjes me drejtësinë për aq kohë sa të jetë e mundur.
