Shqipëria ka marrë dakordësinë në nivelin e COELA-s për mbylljen e përkohshme të Kapitullit 20 të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Burime nga Bashkimi Europian bëjnë me dije për gazetaren e A2 CNN, Fjorela Beleshi, se COELA ka arritur marrëveshjen për mbylljen e përkohshme të Kapitullit 20.
Ndërkohë kalimi i çështjes në COREPER, pritet të ndodhë nesër rreth mesditës. Pas miratimit në COREPER, pritet të vijojë procedura për zhvillimin e Konferencës Ndërqeveritare BE-Shqipëri.
Burimet e BE-së bëjnë me dije se ka plane paraprake për zhvillimin e katër konferencave ndërqeveritare gjatë javës së ardhshme, me Shqipërinë, Malin e Zi, Ukrainën dhe Moldavinë.
Për Shqipërinë, data më e mundshme është 13 tetori, pas mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së (GAC).
Megjithatë, ende nuk ka një datë zyrtarisht të konfirmuar për konferencën.
