Policia ka shtuar kontrollet në disa prej akseve kryesore të Vlorës, në kuadër të masave të marra për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë fundjavës.
Efektivët janë vendosur në pika të ndryshme të qytetit, ku po ndalojnë automjete dhe po kryejnë verifikime ndaj drejtuesve dhe pasagjerëve.
Një prej pikave të kontrollit është ngritur në rrethrrotullimin e Transballkanikes, ku po verifikohen mjetet që qarkullojnë në këtë aks.
Në fokus janë veçanërisht automjetet me xhama të errësuar. Krahas kontrollit të mjeteve, efektivët po verifikojnë edhe identitetin e personave që udhëtojnë në to. Kontrollet synojnë evidentimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, si dhe zbulimin e rasteve të mundshme të armëmbajtjes pa leje.
Prania e shtuar e Policisë është shtrirë edhe në zona të tjera të Vlorës, përgjatë disa prej rrugëve dhe akseve kryesore të qytetit. Masat pritet të vijojnë gjatë fundjavës, me synim parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe rritjen e sigurisë publike.
