Kompozitori Adrian Hila është thirrur nga Policia e Tiranës për t’u marrë në pyetje lidhur me videot me përmbajtje intime që u publikuan dhe u shpërndanë në rrjetet sociale.
Efektivët kanë shkuar edhe në banesën e kompozitorit për ta kontaktuar, por nuk e kanë gjetur aty.
Më pas, policia ka arritur të komunikojë me Hilën përmes telefonit. Sipas këtyre raportimeve, kompozitori është shprehur se ndodhet në gjendje të rënduar pas publikimit të materialeve, duke pretenduar se është hakeruar.
“Jam shumë i shokuar, i tronditur, më kanë hakeruar”, mësohet të ketë deklaruar Hila gjatë komunikimit me policinë.
Kompozitori ka bërë me dije se do të paraqitet në polici sapo të mbërrijë në Tiranë, për të dhënë deklarimet e tij lidhur me ngjarjen dhe rrethanat në të cilat materialet kanë përfunduar në rrjet.
Ndërkohë, strukturat e Krimit Kibernetik kanë vijuar verifikimet për të përcaktuar burimin e videove dhe mënyrën se si ato janë siguruar e më pas shpërndarë online.
Hetimi synon të zbardhë autorësinë e publikimit të materialeve, ndërsa policia po verifikon edhe mënyrën se si janë siguruar pamjet.
Publikimi i videove ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet, ndërsa autoritetet po punojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave që mund të kenë lidhje me shpërndarjen e tyre.
Në kuadër të hetimeve janë thirrur gjithashtu për deklarime edhe persona të tjerë që pretendohet se shfaqen në materialet e publikuara. Sipas raportimeve, për disa prej tyre marrja në pyetje mund të kryhet në një fazë të dytë, duke marrë në konsideratë edhe gjendjen e tyre psikologjike pas ekspozimit publik të videove.
Një nga elementët që po shqyrtohet nga hetuesit lidhet me mënyrën se si janë regjistruar pamjet. Në një prej videove, pretendohet se Adrian Hila vëren një pajisje filmimi dhe i drejtohet një personi tjetër duke i thënë se ajo nuk është kamerë, por alarm. Pikërisht ky moment është bërë pjesë e verifikimeve për të kuptuar nëse pajisja ka qenë e vendosur në ambient në mënyrë të fshehtë dhe si janë siguruar materialet.
Ndërkohë, Policia e Tiranës ka bërë të ditur zyrtarisht se Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike po punon për identifikimin e adresave IP dhe të dhënave të faqeve apo profileve që kanë publikuar dhe shpërndarë videot. Paralelisht, autoritetet kanë nisur procedurat për largimin e materialeve nga platformat ku janë publikuar.
