Aleksandër Vuçiç e vendosi Kosovën mes çështjeve që, sipas tij, Serbia do të duhet të përballet edhe pas largimit të tij nga Presidenca.
“Do të duhet të mbrojmë popullin tonë në Kosovë dhe Metohi dhe të mos lejojmë ata që do të përpiqen t’i bindin të gjithë që të heqim dorë sa më shpejt nga Kosova, me arsyetimin se kështu nuk do të shohim më nga e kaluara, por nga e ardhmja. Të gjithë do të duhet t’i rezistojnë kësaj. Qytetarët le të mendojnë vetë”, tha Vuçiç.
Ai shtoi se Serbia duhet të vazhdojë rrugën evropiane, të ruajë marrëdhëniet me “miqtë tradicionalë në Lindje” dhe të përshpejtojë zhvillimin ekonomik.
“Do të duhet të vazhdojmë zhvillimin ekonomik, por kur flasim për zhvillimin ekonomik, do të duhet të kujdesemi për inovacionin, inteligjencën artificiale dhe robotët, që të mos mbetemi pas.Një herë jua kam treguar këtë. Kur isha në Paris, ata amerikanë që zotërojnë kompanitë më të mëdha satelitore në botë më thanë: ‘Jemi pesë ose gjashtë muaj përpara kinezëve’. Nuk e di, por ajo garë është shumë e pasigurt. Por, siç më thanë, pesë ose gjashtë muaj në këtë biznes, në një epokë kur vendimet merren shpejt dhe gjërat ndryshojnë me shpejtësi, janë shumë. Kur pyeta se sa prapa jemi ne evropianët, më thanë: ‘Shtatë deri në tetë vjet’. Atëherë shikoni vetë se sa prapa jemi. Dhe për këtë arsye Serbia, duke vazhduar rrugën e saj evropiane dhe duke u kujdesur për miqtë e saj tradicionalë në Lindje, do të duhet të zhvillohet ekonomikisht edhe më shpejt”, tha Vuçiç.
