Në Shkup u zhvillua sot një protestë në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët këtë muaj u dënuan në shkallë të parë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Protesta u mbajt në sheshin “Skënderbe” nën moton “Jo në emrin tim!” dhe zgjati rreth një orë.
Gjatë tubimit u mbajtën disa fjalime, ku pjesëmarrësit shprehën kundërshtimin ndaj vendimit të gjykatës, duke e cilësuar atë si zhgënjyes.
Organizatorët kishin bërë thirrje që protesta të zhvillohej në mënyrë paqësore dhe dinjitoze.
Tubimi pasoi vendimin e 16 shtatorit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, përmes të cilit ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, u shpallën fajtorë dhe u dënuan me burgim.
Sipas aktgjykimit, Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet.
Katër ish-udhëheqësit e UÇK-së u shpallën fajtorë për vepra që lidhen me krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.