Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, nis sot zyrtarisht misionin e tij diplomatik në Tiranë, me paraqitjen e letrave kredenciale te Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Takimi i cili pritet në mesditë shënon hapin e parë formal të Wendt në ushtrimin e detyrës së tij si përfaqësues i Washingtonit në Shqipëri.
Sipas gazetarit të Klan News, Vladimir Lame, pas takimit me Kreun e Shtetit, Wendt pritet të vijojë agjendën e tij diplomatike me takime të nivelit të lartë. Të hënën, ai pritet të zhvillojë takimin e parë me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Në ditët në vijim, ambasadori i ri amerikan pritet të prezantohet edhe me përfaqësues të politikës dhe medias shqiptare, në një ceremoni që Ambasada e SHBA-ve do të organizojë të premten, më 2 tetor.
Wendt u konfirmua zyrtarisht në këtë detyrë më 8 gusht, pasi Senati amerikan miratoi emërimin e tij. Pas konfirmimit nga Senati, emërimi u formalizua përfundimisht me nënshkrimin e Presidentit Donald Trump.
Por kush është Eric Wendt?
Wendt është gjeneral në pension i ushtrisë amerikane dhe ka më shumë se 34 vite përvojë në shërbim.
Pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar në forcat speciale amerikane, Green Beret.
Ai ka shërbyer edhe si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, ndërsa gjatë karrierës ka mbajtur poste të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe në rajonin e Paqësorit.
Wendt pritet të marrë drejtimin e misionit diplomatik amerikan në Tiranë, pas largimit të Yuri Kim nga posti në qershor të vitit 2023.
Gjatë dëgjesës në Senatin amerikan më 20 maj, Wendt prezantoi edhe prioritetet e tij për Shqipërinë. Në fokus do të jenë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimi i bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve, rritja e sigurisë kibernetike dhe krijimi i kushteve më të favorshme për investimet amerikane.
Një tjetër pikë e rëndësishme për Wendt është SPAK-u. Ai e ka cilësuar strukturën antikorrupsion si një institucion të rëndësishëm dhe ka vlerësuar bashkëpunimin e saj me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit.
Sipas tij, puna e SPAK-ut mbetet thelbësore për Shqipërinë, për sa kohë institucioni ruan pavarësinë dhe qëndron larg ndikimeve politike.
