reu i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Afrim Qëndro duket se nuk ka zënë mend kur i shpëtoi për pak burgut në vitin 2018 me aferën korruptive të kompanisë së rreme të Bashkim Ulajt (DH Albania), të cilës Qendro, si kreu i ARRSH-së i dha 18 milionë euro tender për ndërtimin e lotit të parë te Unaza e Re, pa plotësuar asnjë kriter dhe me dokumente të rreme. Qëndro ishte me fat. Ai i shpëtoi burgut pasi nuk ishte ngritur ende SPAK-u. Qëndro, bashkë me Klodian Gradecin e OST dyshohet se korruptuan prokurori Gjergji Tako, të cilin Vetingu e çoi në riedukim, si dhe gjyqtarin Ardian Kalia, i shkarkuar si i korruptuar.

(Ardian Kalia dhe Gjergji Tako)
Pas largimit nga kreu i ARRSH-së, Qendro u emërua nënkryetar i Bashkisë Vlorë 2020-2021, ku finalizoi disa afera me tenderat. Në vitet 2021-2026, Qendro ka mbajtur detyrën e Prefektit të Qarkut Tiranë, ku tentoi t’i jepte tenderin e tabletave 2.3 miliardë lekë kompanisë së tij Ligus shpk, kamufluar me prestanome. Kompania Ligus ka përfituar dhjetëra milionë euro tendera, edhe nga autoritete publike ku Qëndro ka mbajtur funksione drejtuese.

Në shkurt 2026, Afrim Qëndro u emëruar në krye të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, (IKMT). Në gusht të këtij viti, Afrim Qëndro i ka dhënë ‘Fazlliçit’ të Ramës, Ron Yeffet, në kërkim nga Afrika në Izrael për mashtrim, 90 mijë euro paradhënie për blerje makinash, duke shkelur barazinë në tendera dhe shpërdoruar detyrën. Paratë Ron Yeffet i ka përfituar përmes kompanisë TIMAK DEFENCE, me të cilën përfiton para publike pa ofruar asnjë shërbim, manipulon bilancet duke dalë me humbje, ku deri më tani dyshohet se ka zhvatur dhe fshehur në offshore rreth 30 milionë euro para publike.

Afrim Qëndro dyshohet se qëndron edhe pas kompanisë Start Co shok, e cila ka përfituar tendera publikë me vlerë mbi 40 milionë euro. SPAK dhe BKH, me një hetim modest, mund të zbulojnë lidhjet e Qëndros me kompaninë Start Co, përfitimet, korrupsionin me tendera dhe pastrimin e parave, duke i investuar në pasuri të paluajtshme. Madje kompania Start co dhe Timak kanë marrë pjesë bashkë dhe kanë fituar temdera publike, tregues i njohjes dhe bashkëpunimit mes pronarëve në letra dhe realë të tyre.

Me kompaninë Start Co është e lidhur agjencia doganore Leave & Co si dhe kompania e pjesëve të makinave Start MTE. Afrim Qëndro posedon një pasuri me vlerë qindra mijëra euro dhe pasuri të tjera të fshehura, të cilat dyshohet se janë produkt kryesisht i aferave në ARRSH, 2013-2017 tek drejtoria e projekteve dhe 2017-2019 si drejtues i ARRSH-së.
Afera me Bashkim Ulajn
Në vjeshtën e vitit 2018, ish kreu i ARRSH Afrim Qendro, ish kreu i OST Klodian Gradeci dhe oligarku Bashkim Ulaj finalizuan një aferë korruptive me vlerë 28 milionë euro përmes kompanisë false dhe fantazmë DH Albania, të kamufluar në emrin e sportelistit të Bashkim Ulajt, Avdjol Dobi.
Afera korruptive nuk ishte e zakonshme, pasi ‘ustallarët shqiptarë’ kishin falsifikuar letrat sikur kompania e tyre ishte dega në Shqipëri e kompanisë amerikane Dunwell Haberman. (Për këtë marifet, Ulaj ka një llogari të hapur me amerikanët). Kokat e kësaj skeme korrupsioni dhe falsifikimi, oligarku Bashkim Ulaj, Afrim Qendro që firmosi një nga tenderat 18 milionë euro dhe Klodian Gradeci i OST i shpëtuan ndëshkimit, ndoshta sepse ende nuk ishte ngritur SPAK-u.
Gradeci u arrestua në Rinas për një skemë mashtrimit 1.5 milionë USD dhe u lirua shumë shpejt, ndërsa Afrim Qendro vetëm sa u mor në pyetje si person që kishte dijeni. Dosjen për rolin e ARRSH dhe OST në skemën e korrupsionit e mbylli prokurori Gjergji Tako, në bashkëpunim me ish gjyqtarin Ardian Kalia, duke mbyllur sytë para fakteve flagrante që vishnin me përgjegjësi penale Afrim Qendron, në atë kohë kreu i ARRSH dhe Klodian Gradeci, në aty kohë kreu i OST, të cilët kishin firmosur 28 milionë euro tendera për një kompani që nuk plotësonte asnjë kriter.
Kërkesën për pushimin e çështjes e firmosi prokurori Gjergji Tako. Kërkesën e prokurorit Gjergji Tako për mbylljen e dosjes për grupin Qendro, Gradeci dhe Ulaj u pranua nga gjyqtari Ardian Kalia në 24 janar 2020. Historia u mbyll me dënimin me 6 muaj burg të sportelistit të Ulajt, Avdjol Dobi, i cili në fakt nuk bëri asnjë ditë.
