Hetimet e SPAK-ut për aktivitetin e dyshuar të paligjshëm të deputetit të PD-së, Flamur Noka, mësohet se kanë marrë një kthesë të papritur disa javë më parë. Sipas burimeve, gjatë zbërthimit dhe shqyrtimit të komunikimeve të anëtarëve të një grupi kriminal në platformën Skye Ecc, në pah kanë dalë indicie kompromentuese për Flamur Nokën, i cili dyshohet se është përfshirë në fshehje pasurie dhe pastrim parash. Bëhet fjalë për një prej grupeve kriminale më të fuqishme financiarisht, i goditur disa muaj më parë nga SPAK për trafik droge nga vendet e Amerikës Latine drejt Evropës si dhe pastrimin e parave në ndërtim, kryesisht në Tiranë dhe bregdet.
Anëtarët e grupit kriminal, disa nga të cilët në kërkim, të arrestuar dhe të tjerë që nuk janë identifikuar, përpos të tjerave, kanë folur edhe për disa pasuri të Flamur Nokës në kulla të kamufluara nga kompani të sekuestruara nga SPAK pasi kanë pastruar paratë e trafikut të kokainës. Nisur nga këto indicie, BKH mësohet se ka kryer verifikime, duke konstatuar pasuritë e referuara në Skye Ecc, me pronar real Flamur Nokën. Pasuritë e pajustifikuara mësohet se rezultojnë në emër të njerëzve të besuar të Nokës.
Bazuar në provat e mbledhura, SPAK pritet t’i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë me kërkesë për heqjen e imunitetit të deputetit Flamur Noka, me qëllim për t’i hapur rrugë arrestimit të tij. Kupola e PD dhe vetë Noka duket se kanë dijeni për veprimet hetimore të PD. Përfaqësues të PD kanë nisur për herë të parë të sulmojnë kreun e SPAK-ut Klodian Braho, ndërsa Noka bëri një reagim të ashpër për marrjen të pandehur nga SPAK të deputetit të PD-së, Luan Baçi, duke e konsideruar si sulm politik.
Hetimet pas kallëzimit penal
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka po hetohet nga SPAK për fshehje pasurie, pastrim parash dhe shpërdorim detyre pas një kallëzimi penal i referuar nga avokati Idajet Beqiri në mars të vitit 2024. Përpos hetimit pasuror, ku Noka dyshohet se ka fshehur një vilë në Gjirin e Lalzit, deputeti i PD po hetohet për rolin e tij korruptiv në zgjatjen e koncensionit të pasaportave, kur ishte ministër i Brendshëm.

Noka po hetohet edhe për veprimtarinë e paligjshme gjatë kohës kur ishte drejtor i Bordit të Entit Kombëtar të Banesave (viti 2008), ku duke përdorur funksionin publik u dha katër banesa nga fondi i të pastrehëve në qytetin e Sarandës familjarëve të tij, dy vëllezërve që jetonin në Belgjikë, gruas së vëllait dhe motrës që jeton në Kamëz. Dikur përfitonte banesë si i pastrehë, Noka arriti përmes manovrave të bëhet pronar i një pasurie me vlerë rreth 1 milionë te pallati i kuq pranë Parkut të Liqenit në Tiranë.
Afera e pasaportave
Më 21 korrik 2008, Ministria e Brendshme, degë e qeverisë Berisha, firmosi kontratën koncensionare për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike me grupin Sagem Securite dhe Fondin Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, një organizatë jofitimprurëse, e cila do të menaxhojë edhe Parkun e Butrinit.

Kompania Aleat, e cila do të zbatonte koncensionin, u themelua gati një muaj më vonë, në 18 gusht 2008, që do të thotë se kur është firmosur kontrata, Sagem Securite nuk ekzistonte në Shqipëri. Kjo praktikë denoncohet sot si shkelje nga opozita në rastin e inceneratorëve!
Pronarët fundorë të koncensionit që u ka kushtuar shqiptarëve mbi 500 milionë euro janë francezi JEAN-ALAIN JOUAN dhe dy shqiptarët Aleksandër Sarapuli e Martin Mata.
Deri në fund të vitit 2021, “Aleat Sh.p.k” ka rezultuar me një fitim neto në total prej 120 milionë euro.
Për sa i takon xhiros vjetore përgjatë këtyre viteve, shifra fiksohet në vlerën e 50 miliardë lekëve ose rreth 500 milionë euro, ndërkohë që 2.2 miliardë lekë ose 18.8 milionë euro janë paguar si tatim mbi fitimin.
Por këtu nuk llogaritet fitimi dhe xhiroja e kompanisë për periudhën 2022 dhe janar-korrik 2023, kur edhe përfundoi kontrata.
Kompania ka dalë me humbje vetëm vitin e parë, pra në 2008, kur nuk kishte filluar ende të shiste pasaporta.
Nga verifikimi i xhiros dhe shpenzimeve, fitimet e kompanisë arrijnë 34 % të të ardhurave. Kushtet dhe ndryshimet në kontratë i kanë sjellë kompanisë një normë kthimi në masën 356% të kapitalit të investuar.
Asnjë kompani nuk angazhohet në një shërbim për të humbur. Koncensionet nuk janë shpikur nga klasa politike e Tiranës, por problemi qëndron tek kushtet e kontrave dhe manipulimi me zbatimin e kontratave nga koncensionarët, në dëm të interesit publik, shpeshherë në bashkëpunim me funksionarë publikë.
Hije korrupsioni, në sfond Flamur Noka
Kontrata e firmosur më 21 korrik 2008 kishte afat pesëvjeçar. Parashikohej një investim prej 5 milionë euro dhe një fitim rreth 25 milionë euro. Pas këtij afati, parashikohej transferimi i pajisjeve dhe aseteve te autoriteti publik.

Në 19 mars 2013, Flamur Noka, në atë kohë ministër i Brendshëm, sigurisht me aprovimin e Sali Berishës, të cilit i shërben tani, firmosi ndryshimin dhe zgjatjen me 10 vite të kontratës koncensionare për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike me grupin që kontrollonte kompaninë Aleat.
Ndryshimi i kontratës ka disa elementë të dyshuar si korruptivë, të cilat mund të dokumentohen lehtësisht nga SPAK-u, nisur nga standardi që SPAK ka vendosur me disa dosje.
- Zgjatja e koncensionit me 10 vite ishte një koncension i ri, ku është shmangur gara.
- U rrit në mënyrë të pa argumentuar çmimi i shitjes së kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike (pasaporta nga 5000 lekë në 7500 lekë, karta e identitetit nga 1200 lekë në 1500 lekë.
- Kompania kishte shërnuar fitime marramendëse në vitet 2009, 2010, 2011 dhe 2012, ndërkohë që me kontratën e re, duke rritur çmimin e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike, janë shtuar fitimet e kompanisë në dëm të interesit publik dhe xhepave të shqiptarëve.
- Kontrata e firmosur nga Flamur Noka dyshohet se bazohet në pretendime të rreme, në mungesë faktesh dhe raportesh, në falsifikime dhe arbitraritet, pasi nuk ka raporte zyrtare që konfirmon investimet e pretenduara.
- Komisioni për monitorimin dhe zbatimin e kontratës nuk është mbledhur asnjëherë. Nuk ekziston asnjë raport për ecurinë e zbatimit të kontratës.
- Ka dyshime të forta se kompania nuk ka blerë pajisje, por i ka marrë me qira, për të ulur koston dhe rritur fitimet, në kundërshtim me kontratën. Kompania nuk ka inventar asetesh dhe nuk i ka dorëzuar asgjë shtetit shqiptar në përfundim të kontratës.
- Grupi i Rithemelimit në Partinë Demokratike, më 23 janar 2023, kundërshtoi transferimin e prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit te Ministria e Brendshme pas mbarimit të kontratës në korrik 2023. Zëdhënësja e Rithemelimit, Floriana Garo në një deklaratë për mediat se “Shtetëzimi nga Edi Rama dhe Bledi Çuçi i prodhimit të pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit, është hapi i radhës në shndërrimin e kapitalizmit të ri shqiptar në një korporatë shtetërore komuniste. Për kujtesë të publikut, kompania franceze Aleat, që prodhon prej 16 vjetësh pasaporta dhe leternjoftime për shqiptarët, është kooperacioni i “qeverisë Berisha” që bëri të mundur legalizimin e vizave për shqiptarët…”.
Noka blen pasuri me vlerë qindra mijëra euro
Në vitet 2012-2013, që përkon me negociatat dhe finalizimin e shtyrjes së kontratës koncensionare për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike, Flamur Noka nisi të blinte pasuri të paluajtshme dhe të luajtshne me vlerë qindra mijëra euro.
Flamur Noka blen një apartament, në zonën më të shtrenjtë të Tiranë, te diga e Liqenit, pallati i famshëm i kuq, kati II, 190 m2 si dhe një garazh 70 m2, m vlerën 173 400 euro. Ka blerë gjithashu një makinë 40 mijë euro dhe një makinë tjetër 6 milionë lekë.
Vlera e pasurisë tek Liqeni, që Noka e ka deklaruar 173 mijë euro, kushton rreth 1 milionë euro.
Burimi i dyshimtë e parave
Të ardhurat e Flamur Nokës janë paga e tij si deputet dhe paga e bashkëshortes në Fakultetin e Shkencave të Natyrës pranë Universitetit të Tiranës për periudhën, të cilat mbulojnë vetëm koston e jetesës në Tiranë.
Në 1 nëntor 2009, Flamur Noka përfiton një kredi me zero interes si i pastrehë nga Enti Kombëtar i Banesave, pjesë e bordit të të cilit ka qenë edhe vetë. Kredinë e ka marrë me afat 25 vjet, me këst mujor 16 500 lekë.
Me këto para, Noka blen një apartament 83.7 m2 në ish Bllok, në katin e 8 të një pallati.
Tre vjet më vonë, Noka, apartamentin që bleu rreth 50 mijë euro me kredinë si i pastrehë, e shet për 180 mijë euro.
Me këto 180 mijë euro, blen 260 m2 apartament dhe garazh në zonën më të shtrenjtë të Tiranës, te Liqeni, kur në fakt vlera është 4-5 herë më e lartë se ajo e deklaruar. Nga manovra me shitjen e apartamentit 83 m3 në katin e 8, duke blerë një pasuri me vlerë rreth 1 milionë euro, Nokës i teprojnë edhe 6.4 mijë euro.
Noka blen në 2015 një makinë 40 mijë euro, ku për të mbuluar diferencën merr një kredi 30 mijë euro, ndërsa 10 mijë euro thotë se kanë pasur cash nga shitja një makine në 2011, të cilën e ka blerë më lirë se sa e ka shitur.
Po flasim vetëm për pasurinë e deklaruar. Kur ishte vetë pjesë e Entit Kombëtar të Banesave, Noka u ka dhënë vëllait, motrës dhe kunatës së tij 4 apartamente në Sarandë. Këto pasuri dyshohet se janë të Nokës, bashkë me një vilë 760 mijë euro në Gjirin e Lalzit, për të cilën informacione më të hollësishme ka Gazmend Bardhi.
Si u emërua Noka në EKB
Në vitin 2006, 16 vjet pas nisjes së studimeve, Flamur Noka, aktualisht sekretar i Përgjithshëm i PD-së, shkruan se është specializuar si mjek onkolog pranë QSUT.
Në vend që të punonte si mjekt onkolog, çuditërisht, në 31 mars të vitit 2006, Lulzim Basha, në atë kohë ministër i Brendshëm, emëron Flamur Nokën anëtar të Këshillit Drejtues të Entit Kombëtar të Banesave.
Në 30 shtator 2009, Sokol Olldashi, në atë kohë ministër i Transporteve, shkarkon Flamur Nokën si anëtar i Këshillit Drejtues të Entit Kombëtar të Banesave, pasi Noka ishte zgjedhur deputet. Duket se Noka nuk synonte thjeshtë të merrte një rrogë te Enti Kombëtar i Banesave.

Një muaj pasi largohet nga EKB, në 1 nëntor 2009, Flamur Noka përfiton një kredi 50 mijë euro me zero interes si i pastrehë nga Enti Kombëtar i Banesave, duke blerë një apartament me sipërfaqe 83.7 m2 në ish Bllok.
Banesa për familjarët e tij
Flamur nuk ka menduar për t’u pasuruar vetëm vetë, duke abuzuar me pushtetin, por edhe familjarët e tij si anëtar dhe më pas si kryetar i Bordit të Entit Kombëtar të Banesave.
Kjo është një listë zyrtare me 73 persona, të cilët kanë përfituar banesa si të pastrehë në Sarandë nga Enti Kombëtar i Banesave.

Mes përfituesve rezulton edhe shtetësja Lule Basha, e cila është motra e Flamur Nokës. Lidhja e vetme e zonjës me qytetin e Sarandës duket se është vetëm pozita e vëllait në Enti Kombëtar të Banesave, ent të cilin duket se e ka përdorur për përfitime të paligjshme personale dhe familjare.

Mes përfituesve të apartamenteve në Sarandë nga Enti Kombëtar i Banesave, rezultojnë edhe Lulzim dhe Mevlan Noka, të cilët raportohet se janë vëllezërit e Flamur Nokës.
Mes përfituesve të banesave është edhe një shtetase belge, Luçinda Faket, e cila raportohet se është bashkëshortja e vëllait të Flamur Nokës.
Pikërisht këto fakte të abuzimit me pushtetin për përfitime të kundraligjshme personale/familjare po hetohen nga SPAK.
Gaz Bardhi e akuzoi për vilë 760 mijë euro të padeklaruar në Gjirin e Lalzit
Gazment Bardhi e ka akuzuar publikisht Flamur Nokën për fshehjen e një vile 760 euro në Gjirin të Lalzit, për pengmarrje nga oligarkia e lidhur me pushtetin dhe për lidhje të dyshimta me botën e krimit. Noka i ka mohuar publikisht këto akuza, duke i cilësuar si sulme politike, madje më vonë doli publikisht dhe u shpreh se e kishte “falur” Bardhin, ndërkohë që ky i dyti nuk i ka mohuar ende akuzat.
