Gazetari Artan Hoxha ka ngritur akuza të forta për mënyrën se si është zbatuar reforma në drejtësi, duke deklaruar se sistemi i ri ka deformuar balancat mes prokurorëve dhe gjyqtarëve, ndërsa vendimet e vetting-ut kanë nisur, sipas tij, të rrëzohen në Strasburg.
Në emisionin “Off the Record” të Andrea Dangllit në A2 CNN, Hoxha tha se çështja nuk qëndron vetëm te largimi i magjistratëve nga sistemi, por te fakti që mandatet e tyre, sipas tij, janë ndërprerë në mënyrë të jashtëligjshme, pa pasur më pas përgjegjësi për pasojat.
“Ka filluar Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut t’i rrëzojë këto të vetting-ut. Kush do mbajë përgjegjësi për ato? Përveçse ka ndërprerë mandatin e magjistratëve, por e ka bërë në mënyrë të jashtëligjshme. Në vend që të bënte drejtësinë e re që kërkonim të gjithë, e ka deformuar dhe na ka vënë para këtij problemi që është sot”, deklaroi Hoxha.
Një prej pikave ku gazetari u ndal ishte raporti mes SPAK-ut dhe gjyqtarëve. Sipas tij, e drejta që i është dhënë prokurorit të SPAK-ut për të mbajtur gjyqtarët në përgjim ka cenuar balancën e sistemit. Për ta ilustruar, Hoxha përdori analogjinë e një ndeshjeje futbolli, ku njëra skuadër do të kishte mundësinë të përgjonte arbitrin.
“Mirëpo, për sa kohë vendimet e gjykatave të sotme nuk kanë shkuar akoma Strasburg, nuk arrijmë dot të gjykojmë këtu. Pse? Sepse kur kanë bërë ligjin, i kanë dhënë një të drejtë prokurorit të SPAK-ut: të mbajë në përgjim gjyqtarët. Dhe aty ka prishur krejt balancat. Është si në futboll, njëra nga skuadrat të përgjojë arbitrin”, u shpreh gazetari.
Sipas Hoxhës, një nga testet përfundimtare për vendimet e prodhuara nga drejtësia shqiptare do të jetë pikërisht shqyrtimi i tyre jashtë vendit. Ai kërkoi që të ketë përgjegjësi kur vendimet e institucioneve shqiptare rezultojnë të gabuara dhe prodhojnë më pas edhe kosto financiare për shtetin.
“Dhe ti do presësh vetëm vendimet që po shkojnë në Strasburg dhe vendimet që po kthehen nga Strasburgu çfarë janë? Duhet të mbajë dikush përgjegjësi në këtë vend. Arrestuam guvernatorin e Bankës për vjedhjen e 7 miliardëve dhe i paguam edhe gjysmë miliardi dëmshpërblim; arrestuam Kajmakun, i dhamë katër vjet rrogë, i dhamë edhe dëmshpërblim. Do mbajë njeri përgjegjësi?”, përfundoi Hoxha.
