Nga faqja e instagramit “Punë Oligarkësh” te karriget e shtetit. Rama e mori “kritikun e qeverisë” dhe e vendosi në nyjet ku kalojnë paratë, energjia, Tatimet e Doganat. Sot Yzeiraj mbledh poste e borde, ndërsa po hapen dosjet e rolit të tij në Dogana dhe lidhjeve me interesa të fuqishme biznesi. Sipas logjikës së Ramës; zëvendësministri i bie t’i ketë vënë gjobë dhe kryeministri e paska paguar…
Endrit Yzeiraj sulmonte amnistinë fiskale dhe qeverinë nga faqja e instagramit “Punë Oligarkësh”. Rama e mori në qeveri dhe sot ish-kritiku është zëvendësministër i Financave, kryetar i Këshillit Mbikëqyrës i OST-së dhe i ulur në disa borde shtetërore që i shtojnë pagesa mbi rrogën. Në dosjen e brendshme të redaksisë po hetohen edhe dy pista të tjera që lidhen me interesat izraelite të afruara me qeverinë Rama dhe roli i tij në Dogana, ku po verifikohen indicie për favore e afera të dyshuara me disa kompani VIP.
Endrit Yzeiraj kishte një emër të goditur për faqen me të cilën sulmonte qeverinë: “Punë Oligarkësh”. Sot emri tingëllon si një ironi therëse, sepse njeriu që dikur merrej me punët e oligarkëve nga jashtë është futur në zemër të mekanizmit që administron disa nga punët më të mëdha ekonomike të shtetit shqiptar. Si zëvendësministër i Financave, drejton Këshillin Mbikëqyrës të OST-së, është në strukturat drejtuese të Albcontrol-it, Postës Shqiptare dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Një rrogë nga ministria dhe një varg pagesash të tjera nga karriget që shteti i ka dhënë. “Punë oligarkësh”, vërtet.
Katër vite më parë Yzeiraj i “Punë oligarkësh” ishte ndër kritikët e fortë të amnistisë fiskale të Edi Ramës. Fliste për rrezikun e legalizimit të parave të korrupsionit, për pasuritë pa burim dhe për njerëzit pranë politikës që mund të përfitonin nga skema.
Më 8 mars 2023, Rama e mori brenda. Yzeiraj u emërua zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë dhe nisi një ngjitje që nuk u ndal më. Kritiku i sistemit fiskal u bë pjesë e drejtimit të tij, ndërsa njeriu i “Punë Oligarkësh” nisi të mblidhte njëra pas tjetrës karriget e shtetit dhe t’i shërbente pikërisht oligarkëve.
Brenda pak vitesh Rama e lëvizi nga Financat te Ekonomia, më pas te diplomacia ekonomike dhe sërish te Financat. Në çdo ndalesë, pesha e Yzeirajt u rrit. Sot qeveria i ka besuar edhe kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian që lidhen me Tatimet dhe Doganat, dy nga portat kryesore ku biznesi i madh përplaset çdo ditë me shtetin. Në mars 2026 ai përfaqësonte Ministrinë e Financave në projektin e “Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat”, përkrah drejtorit të përgjithshëm të Doganave dhe Bankës Botërore, ndërsa në korrik diskutonte me investitorët e huaj ndryshimet që do të prekin tatimet, akcizat dhe Kapitullin 29 për Bashkimin Doganor.
Pikërisht te Doganat po hapet një tjetër dosje që mund ta bëjë historinë e Yzeirajt shumë më të rëndë se ajo e borderove. Sipas burimeve, po hetohet roli i mjeshtrit të “Punë Oligarkësh” në disa marrëdhënie të dyshuara klienteliste dhe favorizuese me kompani “oligarkësh”, të cilat preken drejtpërdrejt nga procedurat doganore, detyrimet, akcizat dhe trajtimi fiskal.
Ndërkohë lista e borderove është zgjeruar. Yzeiraj është sot kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të OST-së, ku këshilli që ai drejton emëron administratorin dhe mbikëqyr politikat tregtare të kompanisë që kontrollon transmetimin e energjisë elektrike në Shqipëri. Është edhe në Këshillin Drejtues të Albcontrol-it, figuron në Këshillin Mbikëqyrës të Postës Shqiptare dhe është anëtar i Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Raporti i pajtueshmërisë së OST-së dokumenton edhe emërimin e tij në Këshillin Mbikëqyrës më 25 qershor 2024.
Pra Endrit Yzeiraj nuk merr vetëm pagën e zëvendësministrit. Ai është futur në një sistem pagesash që nis në Ministrinë e Financave dhe vazhdon në bordet e ndërmarrjeve dhe institucioneve publike. Vetëm nga paga e zëvendësministrit dhe dy shpërblimet që mund të llogariten drejtpërdrejt nga skema ligjore e OST-së dhe Postës Shqiptare, shuma shkon rreth 396 mijë lekë bruto në muaj, afro 4 mijë euro, pa futur ende pagesat nga Albcontrol-i dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave. Pa futur as aferat e korrupsionit sistematik nga ana e tij në institucionet që ka mbikqyrur dhe drejtuar.
Rama nuk e ka trajtuar Yzeirajn si një zëvendësministër të zakonshëm. E ka lëvizur nëpër ministri dhe paralelisht e ka vendosur në nyje ku kalojnë energjia, paratë, aviacioni, sistemi financiar, tatimet dhe doganat. Kthesa e tij nuk është vetëm politike. Në vitin 2022 kritikonte politikat fiskale të qeverisë; në vitin 2025, tashmë nga karrigia e zëvendësministrit, doli në mbrojtje të “paqes fiskale” të qeverisë dhe mekanizmave të saj. Në nëntor 2025 e prezantonte publikisht paketën si një instrument formalizimi, me falje dhe reduktime detyrimesh për bizneset sipas periudhës së krijimit të borxhit.
Sipas informacioneve që disponon Pamfleti, Yzeiraj po hetohet edhe për rolin dhe kontaktet e tij në dosjet që lidhen me biznesmenët dhe interesat izraelite të afruara vitet e fundit me qeverinë Rama.
çfarë ka kaluar në ministritë ku Yzeiraj ka shërbyer, çfarë projektesh ka prekur diplomacia ekonomike gjatë mandatit të tij?
çfarë vendimesh kanë kaluar në OST dhe cilat kompani apo interesa kanë trokitur në institucionet ku ai ka pasur rol vendimmarrës?
Nëse “Punë Oligarkësh” ishte diagnoza që Yzeiraj i bënte dikur pushtetit, sot pyetja është shumë më therëse: sa prej punëve të oligarkëve kalojnë tashmë nga zyrat, doganat dhe bordet ku paguhet Endrit Yzeiraj? /Pamfleti
