Hetimet për vdekjen e këngëtarit të njohur grek Giorgos Mazonakis kanë marrë një tjetër kthesë, pas zbulimeve të reja që lidhen me aktivitetin e dy mjekëve në klinikën private në Kolonaki.
Sipas raportimeve të disa mediave greke, nga analizimi i pajisjeve elektronike të sekuestruara gjatë hetimit janë gjetur të dhëna për kërkime të kryera përmes inteligjencës artificiale.
Raportimet, duke iu referuar të dhënave të bëra publike nga emisioni televiziv Live News, pretendojnë se mjekët kishin kërkuar në ChatGPT ose në një mjet të inteligjencës artificiale informacion se si mund të rikthehej në jetë një pacient pasi Mazonakis kishte humbur ndjenjat.
Ky është një nga elementët më të bujshëm të hetimit, por deri tani nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet se kërkimi është bërë pikërisht nga njëri prej mjekëve apo se është përdorur konkretisht ChatGPT. Autoritetet po përpiqen të përcaktojnë se kush e ka kryer kërkimin, në çfarë momenti dhe nëse ai lidhet drejtpërdrejt me momentin kur këngëtari pësoi arrest kardiak.
Sipas raportimeve të Proto Thema, hetuesit kanë gjetur edhe një fotografi të Mazonakis në telefonin e njërës prej mjekeve, fotografi që dyshohet se ishte fshirë dhe më pas është rikuperuar nga autoritetet. Po ashtu, po shqyrtohen të dhëna të tjera dixhitale dhe regjistrimet e pajisjeve të përdorura në klinikë.
Mediat greke raportojnë se hetimi po fokusohet edhe te minutat kritike para mbërritjes së ambulancës dhe te veprimet e kryera nga mjekët gjatë kohës që Mazonakis ndodhej në klinikë.
Sipas një njoftimi të raportuar nga mediat greke, mjekët e spitalit “Elpis” tentuan për rreth 50 minuta ta rikthenin në jetë këngëtarin pasi ai u transportua atje.
Ndërkohë, hetimi penal ndaj dy mjekëve vazhdon dhe autoritetet po analizojnë provat elektronike, dëshmitë dhe dokumentacionin e klinikës për të zbardhur rrethanat e plota të vdekjes.
