AlbTimes
Subscribe
SAVED POSTS
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
AlbTimes
Home Opinion

Haga, midis maktheve dhe paranojave

by Alb Times
11/09/2026
in Opinion
6
0
Haga, midis maktheve dhe paranojave
6
SHARES
305
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Nga Kristaq Xharo

Një akuzë për të mbrojtur akuzën. Përpara datës 16 shtator, kur do të shpallet vendimi i gjykatës, prokurori ngriti një akuzëtë re. Ndjesia që të jep akuza e ngritur dje nga Haga kundër ish-drejtuesve të UÇK-së duket si makth dhe paranojë njëherësh. Makthi është frika se ajo që ke ndërtuar për vite e vite mund të shembet sapo të hapësh sytë. Po paranoja? Frika se çdo zë, çdo kujtim dhe çdo hije po komploton kundër teje. Dhe duket se të dyja, makthi dhe paranoja, takohen në të njëjtën sallë gjyqi: në Hagë.

Ndërkohë, ky nuk është një proces dosjesh të ftohta. Për shqiptarët, është gjyqi i shekullit. Në bankën e të akuzuarve janë katër njerëz, por pas tyre qëndrojnë një luftë, një rezistencë dhe një pjesë e historisë sonë. Prandaj pyetja nuk është vetëm se çfarë po ndodh në Hagë, por edhe: çfarë vjen pas Hagës?

Pas vitesh hetimesh, mijëra faqesh dhe qindra dëshmish, të akuzuarit po shfaqen përsëri si kërcënim. Jo vetëm si palë ndaj së cilës Prokuroria duhet të provojë akuzën, por tashmë edhe si makthi prej të cilit kërkohet të mbrohet vetë akuza. Këtu ironia nuk troket; hyn pa leje.

Akuza që denoncon veten… Akuza e re po ngrihet pranë së vjetrës si një patericë për të mbajtur një mur që lëkundet, si një hendek për të ruajtur murin dhe, ndoshta, nesër si një mur tjetër për të mbrojtur hendekun. Nëse akuza është kaq e fortë, përse i duhen kaq shumë mure? Për vite dëgjuam për dëshmitarë të mbrojtur, identitete të fshehura, seanca të mbyllura, masa sigurie, kontrolle dhe protokolle. Një fortesë e tërë u ngrit përreth tyre. Tani na thuhet se të akuzuarit i paskan kapërcyer këto mure. Nëse kjo tezë qëndron, lind vetvetiu pyetja: e kujt ishte përgjegjësia?

Paradoksi tashmë nuk pëshpërit; ai vetakuzon. Nëse të izoluarit nuk paskan qenë vërtet të izoluar dhe dëshmitarët nuk paskan qenë mjaftueshëm të mbrojtur, përse vlejtën gjithë ato vite izolim, nëse sot vetë Haga na thotë se izolimi nuk mjaftoi? Edhe sikur kjo akuzë të gjente një alibi juridike, ajo do të kërkonte dy të pandehur: të izoluarit në sallë dhe vetë Hagën. Duke pretenduar se barrierat e burgut u kapërcyen, institucioni ngre njëkohësisht pikëpyetje mbi protokollet me të cilat përligji vite paraburgimi nën arsyen e mbrojtjes së dëshmitarëve. Akuza synon të rëndojë mbi të burgosurit, por hija e saj bie edhe mbi institucionin që kishte për detyrë t’i ruante ato barriera.

Makthi pas mureve të çara. Për akuzën bazë, të ndryshuar disa herë, u deshën vite hetimesh, mijëra dokumente dhe rindërtimi i një skenari për një luftë të ndodhur dekada më parë. U kërkua edhe ndihma e Beogradit, i cili nuk nguroi të afrohej me çfarë kishte në duar. Ndërsa akuza e re u ngrit me një ngutje tjetër. Mos vallë Haga vrapon më shpejt kur makthi troket në derën e vet?

Dhe cili është makthi? Që muret e akuzës bazë kanë nisur të çahen dhe themelet të lëkunden? Që po bien, njëri pas tjetrit, gurët e vendosur që nga rrëfimi i “Shtëpisë së Verdhë”, nga teza e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” dhe nga përpjekja për të vendosur në të njëjtën peshore pushtuesin dhe rezistencën?

Paradoksi mbetet fortesa e akuzës, mbi të cilën procesi ka hapur gjithnjë e më shumë pikëpyetje. Kur një mur nis të çahet, mjeshtri ka dy mundësi: të kontrollojë themelet ose të ndërtojë një tjetër përpara tij. Dhe këtu lind pyetja: mos vallë Haga ka zgjedhur murin? A po ngrihet akuza e re si mur mbrojtës për akuzën e vjetër?

Kur akuza i kërkon dëshmitarët në rresht. Nëse kujtojnë atë që mbështet akuzën, kujtesa bëhet gur në murin e saj; kur kujtojnë ndryshe, nis të dëgjohet krisja. Avokatja SophieMenegon vendosi mbi tryezë pikërisht gurin që nuk hyn lehtë në mur: Mustafa, Bislim Zyrapi dhe “Dëshmitari 4”, sipas argumentimit të mbrojtjes, kanë pohuar para vetë ZPS-së se askush nuk kishte ndërhyrë tek ata. Atëherë, ku fshihet ndikimi? Mos vallë dëshmitari është i besueshëm vetëm kur kujtesa e tij marshon në drejtimin e Prokurorisë, ndërsa bëhet i dyshimtë sapo ndalet përpara portës së saj?

Nëse po, atëherë kemi nënvlerësuar fuqinë e një qelie në Hagë. Një njeri i izoluar, i survejuar dhe i kontrolluar paska mundur të kalojë muret, kamerat dhe protokollet, të hyjë në kujtesën e njerëzve dhe t’ua rregullojë historinë. Edhe Franz Kafka do ta kishte zili një skenar të tillë. Haga duket se ka nevojë për një rrugëdalje nga ky sokak qorr.

Këtu makthi shartohet me paranojën. Nëse të akuzuarit heshtin, fshehin; nëse flasin, ndikojnë; nëse kujtojnë, manipulojnë. Dhe kur dikush kujton si ata, qenka ndikuar. Nëse historia nuk përputhet me akuzën, mos vallë fajin duhet ta ketë historia? Të akuzuarit idealë mbeten kështu ata pa zë, pa kujtesë dhe, mundësisht, pa hije.

Fuqia e dëshmisë. Përballë dëshmitarëve të mbuluar nga anonimiteti, me kode dhe identitete të fshehura, mbrojtja solli në sallë emra me peshë ndërkombëtare: Wesley Clark, JamesRubin, Christopher Hill, Jock Covey, John Duncan dhe MichaelDurkee. Ata nuk e njohën luftën nga korridoret e ftohta të Hagës. E panë nga afër, takuan drejtuesit e UÇK-së dhe vepruan në qendrat e fuqisë botërore ku merreshin vendime për fatin e luftës dhe të Kosovës. Dëshmia e tyre nuk ishte një pëshpërimë pas perdes; ishte një pjesë e historisë që hyri në sallë me emër, fytyrë dhe përgjegjësi.

Kur akuza e parë kërkon një të dytë për t’u mbrojtur, cila po mban cilën mbi ujë? Menegon, avokatja e njërit prej të akuzuarve, ia hoqi paradoksit petkun juridik dhe e la përballë pyetjes së vet: sipas argumentit të mbrojtjes, kërkohet një dënim i rëndë për biseda të zhvilluara në paraburgim, ndërkohë që jashtë mureve nuk u provua pasoja që pretendohej se synohej. Atëherë, çfarë po peshohet: pasoja që ndodhi apo frika se mund të kishte ndodhur? A po kapet Haga, si i mbyturi pas fijes së kashtës, për ta mbajtur gjallë akuzën e vjetër? Sepse fija e kashtës, sado fort ta shtrëngosh, nuk bëhet litar.

Gjyqi i shekullit. Ka gjyqe që peshojnë fate njerëzish dhe ka gjyqe mbi të cilat rëndon pesha e një epoke. Ky është një prej tyre. Në Hagë nuk maten vetëm fajësia apo pafajësia e katër burrave; për shqiptarët, aty preket kujtesa e një populli që luftoi për të dalë nga robëria dhe për të hyrë në histori me emrin e vet. Prandaj çdo dëshmi, çdo heshtje dhe çdo vendim do të shkojë shumë përtej mureve të asaj salle. Sepse në Hagë sot nuk jehon vetëm fati i katër burrave; aty troket një shekull shqiptar përpjekjesh për liri, me plagët, sakrificat dhe kujtesën e tij.

Por historia nuk mbahet në paraburgim. Një ditë muret bien. Kamerat fiken. Dosjet mbyllen. Dhe atëherë askush nuk pyet më sa të larta ishin muret. Pyetja është çfarë mbanin brenda?

Dhe pas gjithë kësaj mbetet pyetja që, për shqiptarët, është më e madhe se vetë procesi: Çfarë vjen pas Hagës?

* Lektor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në UET(Prof. Dr/ kolonel R)

SendShare2Tweet2

Lajmet e fundit

Nga roje në zhvatës pronash, kush është gjyqtari Ramiz Lala që urdhëroi sot Ramën të zhbllokojë rritjen e pagave për GJKKO

11/09/2026

Përparim i frikshëm i Huthëve në Jemen, marrin 130 km bregdet pranë Detit të Kuq

11/09/2026

Kërcënimi i Kremlinit: Nëse Lituania strehon armë bërthamore, do ta vëmë në shënjestër

11/09/2026

“Unë jam trajneri, zgjedh kush do luajë”, Rama tregon si i zgjedh ministrat

11/09/2026

Braçe shpërthen ndaj gjyqtarëve: Kallëzimi i Malajt në SPAK është vetëgjyqësi, po kalojnë në harbim

11/09/2026

Haga, midis maktheve dhe paranojave

11/09/2026

“Pasqyrë Albania” përballë testit të Braçes: Nëse nuk funksionon, do ta thyej

11/09/2026

“Nuk do bëhem mbret”, Rama: Ja kur do të largohem nga posti i kryeministrit

11/09/2026

Një telash më shumë për Partinë Demokratike

10/09/2026

“Ne jemi ‘best friends’”, Françeska Murati flet për herë të parë pas ndarjes nga partneri: Duhemi si shokë, takohemi çdo ditë

10/09/2026

BE, rregulla të reja për “Airbnb”, qytetet mund të kufizojnë qiratë në zonat me krizë strehimi

10/09/2026

Iris Luarasi o k*rvë/ Influencerja replikon me deputeten socialiste: Ky do të ishte s*lm, jo ai që thua ti

10/09/2026

Olti Shulla sqaron ndryshimin në pamjen e Zegjine Çaushit: Nuk ka pasur ndërhyrje estetike

10/09/2026

Paralajmërimi i frikshëm: Ka shanse që AI të zhdukë njerëzimin në dekadën e ardhshme

10/09/2026

Dashnor Sula rrëfen komunikimin me Ramën: Më shkruan në 1-2 të natës

10/09/2026
Facebook Twitter Instagram LinkedIn
AlbTimes

Të fundit

  • Nga roje në zhvatës pronash, kush është gjyqtari Ramiz Lala që urdhëroi sot Ramën të zhbllokojë rritjen e pagave për GJKKO
  • Përparim i frikshëm i Huthëve në Jemen, marrin 130 km bregdet pranë Detit të Kuq
  • Kërcënimi i Kremlinit: Nëse Lituania strehon armë bërthamore, do ta vëmë në shënjestër

Shfletoni

  • Botë
  • Dossier
  • Editorial
  • Jetë
  • Kronikë
  • Kryesore
  • Kuriozitete
  • Opinion
  • Politikë
  • Sociale

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
SAVED POSTS

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.