Dj turk Mahmut Orhan, katër ditë më parë, ka mbledhur si rrallëherë në Drimadhes oligarkinë e Tiranës, krimin dhe përfaqësuese të turizmit seksual, në një event ku shkëlqente arroganca, aksesorët e shtrenjtë, injoranca dhe zelli i sëmurë për të ekspozuar jetën luksoze, duke sfiduar hapur SPAK-un, nisur që nga rezervimi i tavolinës që kushtonte 6 mijë euro.
Personazhe nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash, trafikantë droge të shndërruar në biznesmenë, bosë call centerash, oligarkë, sekserë, biznesmenë që pastrojnë paratë e drogës dhe skemave mashtruese në ndërtim, personazhe të skemave korruptive dhe kontrabandës, zyrtarë dhe ish zyrtarë të korruptuar, ndrikulla ish Blloku, eskorta etj., janë mbledhur tek MOYO në Drimadhe, një restorant dhe bar i njohur për evente, ku performonte DJ Mahmuti. Eventi nisi në orën 20:00 të datës 15 gusht dhe vijoi deri në orët e para të mëngjesit.
Eventi është mbajtur në një klimë tensioni, hartëmbetjesh dhe rivaliteti për rezervimin e tavolinave dhe pozicionin e tyre ‘strategjik’, për të treguar fuqinë financiare, rangun dhe superioritetin mbi tjetrin. Për shkak të dyshimeve se në këtë event mund të merrnin pjesë edhe personazhe në kërkim nga SPAK-u dhe në kuadër të disa hetimeve të hapura për korrupsion, pastrim parash dhe trafiqe, eventi mësohet se është monitoruar nga hetues të BKH-së dhe agjentë të policisë.
Krahas vëzhgimit të subjketeve të SPAK-ut, hetues të BKH-së, në këtë event ku performonte DJ Mahmuti, mësohet se kanë monitoruar edhe shpenzimet, pasi ka pasur tavolina që kanë shpenzuar dhjetëra mijëra euro, me Dom Perignon 1.5 mijë euro apo shampanjë Cristal 1 mijë euro. Sipas burimeve, pagesat janë kryer përgjithësisht me para cash, të dyshuara si produkt i aktiviteve të paligjshme.
Përpos monitorimit të eventit me foto dhe video, SPAK dhe BKH mësohet se kanë skanuar edhe makinat luksoze të përfaqësisë oligarkike dhe figurave të krimit, pasuritë e kamufluara në bregadet, pushimet dhe çdo lëvzije që mund t’i shërbejë hetimeve dhe kopsitjes së dosjeve.

