Situata nga zjarret është rënduar në Krujë, ku përhapja e shpejtë e flakëve ka vënë në rrezik zonat e banuara dhe ka detyruar autoritetet të nisin evakuimin e qytetarëve.
Në lagjen “Abaze”, banorët janë larguar nga shtëpitë për shkak të afrimit të zjarrit dhe rrezikut për jetën dhe pronën.
Përhapja e flakëve po favorizohet nga erërat dhe bimësia e tharë, duke vështirësuar ndërhyrjen dhe duke e afruar zjarrin pranë banesave.
Ndërkohë, një tjetër front zjarri është hapur në Daias të Tiranës. Zjarri, i raportuar prej rreth një ore, ka marrë përmasa të mëdha dhe ka përfshirë një zonë me bimësi të dendur dhe shkurre.
Pamjet tregojnë shtëllunga të dendura tymi që kanë mbuluar zonën dhe janë të dukshme edhe nga distanca të largëta.
Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në terren dhe po punojnë për izolimin dhe vënien nën kontroll të vatrës. Operacionit i është bashkuar edhe një helikopter i Forcës Ajrore, i cili po ndërhyn nga ajri.
Pavarësisht përmasave të zjarrit në Daias, deri tani nuk raportohet rrezik për banesat. Flakët janë përqendruar kryesisht në një zonë me shkurre dhe bimësi të dendur.
Kujtojmë se, dy vatrat në Halil dhe Krastë janë shuar gjatë ditës së djeshme, ndërkohë që ditën e sotme, efektivë të Forcave të Armatosura, Zonave të Mbrojtura dhe Emergjencave Civile kanë vijuar punën në terren.
Në Krastë-Halil operuan 58 efektivë ushtarakë me 6 mjete, krahas forcave të ADZM-së dhe strukturave vendore, ndërsa deri në këto momente nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Nga ana tjetër edhe në disa zona të tjera të Bashkisë Krujë janë evidentuar vatra të vogla zjarri, por që janë shuar plotësisht. Forcat zjarrfikëse po vijojnë punën në terren, ndërsa situata mbetet nën monitorim të pandërprerë.

