Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Në qëndrimin e tyre, SHBA-të kanë vënë theksin te nevoja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut për trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura mes palëve.
“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është pjesë e domosdoshme e këtij procesi”, deklaroi një zëdhënës i DASH.
Deklaratat e Vuçiçit kanë shkaktuar reagime në Kosovë dhe rajon, për shkak të rëndësisë që lumi Ibër dhe sistemi i Ujmanit kanë për furnizimin me ujë, ujitjen dhe sektorin energjetik në Kosovë.
Për këtë çështje ka reaguar edhe Bashkimi Evropian. Sipas REL-it, BE-ja ka bërë të qartë se duhet të shmanget çdo veprim apo deklaratë që nuk kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Brukseli ka ritheksuar se përparimi në raportet mes dy palëve mund të arrihet përmes dialogut, ndërsa normalizimi i marrëdhënieve mbetet një element i rëndësishëm edhe në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.
Gjithashtu, edhe Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), e ka cilësuar si të papranueshëm përdorimin e ujit si instrument presioni politik dhe u ka kërkuar SHBA-së, BE-së, OSBE-së dhe partnerëve të tjerë të kërkojnë sqarime nga Beogradi.
Reagimet e SHBA-së dhe BE-së vijnë në një moment kur raportet mes Prishtinës dhe Beogradit mbeten të tensionuara, ndërsa deklaratat për lumin Ibër kanë ngritur shqetësime të reja për ndikimin e mundshëm në stabilitetin rajonal.
Çfarë deklaroi Vuçiç për lumin Ibër?
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër dhe se për këtë çështje janë angazhuar ekspertë.
Sipas Vuçiçit, ideja lidhet me zhvillimet në zonën e Liqenit të Ujmanit dhe me prishjen e disa objekteve të serbëve në atë zonë. Deklarata e tij ka nxitur reagime dhe shqetësime për pasojat që një nismë e tillë mund të kishte për Kosovën.

