Pa bërë konsultim me banorët, PS ka propozuar që Bashkia e Memaliajt të shkrihet, duke e përfshirë si njësi formale në përbërje e vartësi administrative të Bashkisë së Tepelenës.
Jo vetëm banorët që kanë filluar protestën e pandalshme, por ekspertët e qeverisjes vendore, të mbështetur në standardet për të qenë bashki më vete, e konsiderojnë absurditet shkrirjen e Bashkisë së Memaliajt me 1 qytet dhe 53 fshatra, që shtrihen deri në kufi tokësor me Mallakastrën, Beratin, Skraparin e Këlcyrën.
Shefat dhe tellallët e PS-së thonë se kanë vendosur ekspertët, por sipas informacioneve që ka siguruar “Pamfleti” nga burime brenda komisionit të reformës territoriale “Mazniku”, shkrirja e Bashkisë së Memaliajt nuk ka qenë në raportin teknik dhe ekonomiko-financiar të ekspertëve.
Shkrirja e Bashkisë së Memaliajt dhe tjetërsimi i kësaj bashkie historike në “zyrë katundi” të Bashkisë së Tepelenës është bërë me ndërhyrjen që ka bërë te Edi Rama, ministrja drejtuese politike e PS-së për Qarkun Gjirokastër, Mirela Kumbaro, e njohur si “Zonja e Zezë” e dirigjimit të bashkive, drejtorive rajonale, trafikantëve, kontrabandistëve, tenderëve, tokave dhe pazareve me bizneset e jugut.
Ndërhyrja e Mirela Kumbaros është hakmarrje për humbjen e PS-së dhe të saj si drejtuese qarku në zgjedhjet bashkiake të vitit 2023, duke u demaskuar si hajdute.
Banorët e Memaliajt të çdo ngjyre politike votuan në shumicë për Albert Malajn e opozitës, duke i larguar Mirela Kumbaros kandidatin e saj socialist Gjolek Guci, me të cilin, nëpërmjet letrave fiktive të tenderimit, vodhi 4 milionë euro të ujësjellësit të zonës dhe miliona të rrugëve rurale, banesave sociale, rikonstruksionit të shkollave, qendrave shëndetësore, vaditjes etj., etj.
Sepse e di që PS dhe ajo si drejtuese politike e Qarkut Gjirokastër, kandidatë për Bashkinë e Memaliajt nëse nuk do të shkrihet, do të ketë përsëri përballë Albert Malajn, kryebashkiakun aktual, i cili prej punëve të bëra në atë zonë gjatë 3 viteve ka fituar besimin dhe mbështetjen e plotë të banorëve të asaj zone.
Duke e futur Memaliajn në vartësi administrative të Bashkisë së Tepelenës, Mirela Kumbaro ëndërron që PS-ja të rifitojë territorin e Memaliajt nën “çadrën” e Tepelenës si bashki e vetme.
Po kryebashkiaku aktual Albert Malaj, nëse PS do të bëjë çmendurinë për të shkrirë Bashkinë e Memaliajt, me kërkesën e banorëve, do të kandidojë për Bashkinë e Tepelenës.
Madje me provat e punëve që ka dhënë në Memaliaj, ka krijuar mbështetje edhe te shumë banorë të zonave të bashkisë aktuale të Tepelenës për zgjedhjet e vitit 2027; të cilën, siç thanë banorët në protestën kundër shkrirjes, PS-ja dhe “kumbara” e saj Mirela Kumbaro do ta humbasin.
Katër muaj para ndërhyrjes për të shkrirë Bashkinë e Memaliajt, “Zonja e zezë” Mirela Kumbaro, me ndërhyrje te ministrat pas bekimit të marrë nga Edi Rama, i bllokoi Bashkisë së Memaliajt të gjithë projektet e investimeve për rikonstruksionin e banesave të familjeve në nevojë, rrugëve rurale, shkollave, qendrave shëndetësore, vaditjes, lerave të blegtorisë etj./Pamfleti

