Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar pas debateve dhe protestave të ditëve të fundit për hartën e re të Reformës Territoriale, duke kërkuar që procesi të mos kufizohet vetëm te vendimmarrja institucionale, por të dëgjohen edhe qytetarët e bashkive që preken nga ndryshimet.
Në një reagim të gjatë, Braçe e cilëson “të vështirë” ditën e djeshme për shkak të ndarjes së propozuar territoriale, duke kujtuar se tre bashki me të cilat ai ka një lidhje të veçantë – Poliçani, Divjaka dhe Libohova – parashikohet të shkrihen dhe të bëhen pjesë e bashkive të tjera.
“Dita e djeshme ishte e vështirë, për shkak të ndarjes së propozuar territoriale, administrative. Reforma duhet të jetë shumë më e madhe se kaq. Tre bashki me të cilat unë kam një lidhje të posaçme, Poliçani, Divjaka dhe Libohova, shkrihen e bëhen pjesë e bashkive të tjera. Dita u bë edhe më e vështirë pas protestës në Poliçan, banorëve atje, socialistëve me ta, si edhe pas reagimeve që pasuan në Divjakë dhe Libohovë“, shkruan Braçe.
Deputeti socialist shprehet se shqetësimi më i madh është mungesa e dëgjesës me komunitetet, duke theksuar se banorët nuk janë bërë pjesë e vendimmarrjes për një reformë që prek drejtpërdrejt jetën e tyre.
“Unë mendoj se tani është koha të dëgjojmë njerëzit. Jo thjesht udhëheqësit e këtyre bashkive, por njerëzit. Ata nuk janë dëgjuar dhe ky është problem. Të ndajmë me ta informacion për arsyet dhe çfarë ndodh me ta pas kësaj ndarjeje; të dëgjojmë mendimet e tyre, argumentet e tyre, t’i debatojmë me ta, të reflektojmë. Është detyrim i procesit ky“, thekson ai.
Braçe ndalet më pas te rëndësia historike dhe zhvillimi i bashkive që pritet të humbasin statusin e tyre, duke argumentuar se nuk bëhet fjalë për një ndryshim të thjeshtë administrativ.
“Kini parasysh që nuk kemi të bëjmë me tre njësi administrative të humbura e të mbaruara. Libohova ka qenë nënprefekturë që në vitin 1914 dhe qytet prej shekujsh. Divjaka është zhvilluar jashtëzakonisht shumë në 12 vitet e fundit, ekonomikisht, në prodhim, infrastrukturë dhe në aspektin social. Ndërsa Poliçani është një qytet i ndërtuar për nevoja strategjike të industrisë ushtarake, për të cilën sot flitet si një domosdoshmëri. Nuk mund të jetë vetëm Tirana ekonomia e këtij vendi në çdo degë“, argumenton deputeti.
Në përfundim të reagimit të tij, Braçe bën thirrje për qetësi dhe reflektim, duke theksuar se Reforma Territoriale nuk duhet trajtuar vetëm si një proces teknik.
“Duhet qetësi e mençuri për të dëgjuar njerëzit; duhet të dëgjojmë ne së pari, pastaj njëri-tjetrin. Ka argumente plot për të këmbyer dhe ky nuk është kurrë një proces i ftohtë teknik, por mbi të gjitha njerëzor“, u shpreh deputeti socialist Erion Braçe.

