Pandëshkueshmëria vijon të mbetet një nga problemet më të mëdha në Shqipëri, ndërsa lufta kundër korrupsionit kërkon goditje më të forta ndaj zyrtarëve të lartë, politikanëve, gjyqtarëve dhe personave me interesa të fuqishme biznesi.
Ky është vlerësimi i raportit të Këshillit Këshillimor për Sigurinë Jashtë Vendit (OSAC), pranë Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili, megjithëse evidenton rezultatet e SPAK-ut, thekson se shumë persona me ndikim vazhdojnë t’i shmangen ndjekjes penale.
“Pandëshkueshmëria mbetet një problem serioz. Që nga krijimi i SPAK-ut në vitin 2019, arrestimi dhe ndjekja penale e zyrtarëve që kryejnë abuzime është rritur. Megjithatë, shumë zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe persona me interesa të fuqishme biznesi vazhdojnë t’i shmangen ndjekjes penale“, thuhet në raport, një pjesë e të cilit u publikua dje nga “Pamfleti”.
Raporti vlerëson se krijimi i SPAK-ut ka sjellë rritje të hetimeve dhe ndjekjeve penale për korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar, por nënvizon se rezultatet nuk kanë qenë të mjaftueshme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve dhe personave me pushtet.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Departamenti Amerikan i Shtetit lidhet me ndikimin që korrupsioni vazhdon të ketë në ekonomi dhe klimën e biznesit.
“Investitorët e huaj përmendin korrupsionin në sistemin gjyqësor, qeveri, prokurimet publike dhe media, mungesën e transparencës dhe konkurrencës, ekonominë e madhe informale, si edhe zbatimin e dobët të kontratave, si disa nga problemet më të mëdha që pengojnë klimën e biznesit në Shqipëri“, thuhet në raport.
Sipas OSAC, këta faktorë vijojnë të dekurajojnë investimet e huaja dhe të dëmtojnë besimin e biznesit te institucionet shqiptare.
Raporti thekson gjithashtu se korrupsioni vazhdon të pengojë punën e institucioneve ligjzbatuese.
“Korrupsioni, pengesat në shkëmbimin e informacionit ndërmjet institucioneve shtetërore, koordinimi i pamjaftueshëm mes agjencive dhe një sistem gjyqësor ende në zhvillim vazhdojnë të pengojnë përpjekjet e Shqipërisë për zbatimin e ligjit“, vlerëson OSAC.
Gjetjet e raportit japin mesazhin se, pavarësisht progresit të shënuar nga institucionet e posaçme të drejtësisë, lufta kundër korrupsionit nuk konsiderohet e përfunduar. Sipas OSAC, pandëshkueshmëria, korrupsioni dhe dobësitë institucionale vijojnë të cenojnë shtetin ligjor dhe të ndikojnë negativisht në klimën e investimeve në Shqipëri.

