Teksa SPAK po heton një numër gjithnjë e më të madh zyrtarësh të lartë të politikës shqiptare, qeveria ka vendosur të angazhojë një kompani ndërkombëtare për të monitoruar nga afër punën e saj dhe të prokurorive të rretheve.
Me një vendim të miratuar sot nga Këshilli i Ministrave, ministri i Drejtësisë është autorizuar të negociojë drejtpërdrejt me Guernica 37 Chambers (G37 Chambers), një grup avokatësh me qendër në Londër, për ofrimin e shërbimit të konsulencës gjatë vitit 2026. Sipas vendimit, komapnia do të ndihmojë Minsitrinë e Drejtësië në monitorimine prokuroisë nës ei ka zbatur si duhet apo jo rekomandimet e qeverisë për uftën ndja kriminalitetit.
Lëvizja vjen në një moment kur SPAK është kthyer në institucionin më të rëndësishëm të drejtësisë shqiptare dhe njëherazi në makthin e klasës politike. Në kampin e mazhorancës, disa ish-ministra, ish-kryebashkiakë dhe zyrtarë të lartë janë nën hetim apo në procese gjyqësore, ndërsa në opozitë ish-presidenti Ilir Meta ndodhet në burg dhe kreu i PD-së, Sali Berisha, është marrë i pandehur.
Zyrtarisht, objekti i kontratës nuk është kontrolli i SPAK-ut, por ndjekja e zbatimit të rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit. Megjithatë, fusha e punës prek drejtpërdrejt institucionet e drejtësisë, pasi parashikon monitorimin e metodologjisë së zbatimit të rekomandimeve, analizimin e mënyrës së raportimit dhe mbledhjes së informacionit, si edhe bashkërendimin ndërinstitucional mes strukturave përgjegjëse.
Sipas vendimit të qeverisë, negociatat do të përqendrohen në:
-ndjekjen në vazhdimësi të zbatimit të rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit;
analizimin e platformave dhe formateve të raportimit;
-përmirësimin e mekanizmave të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet institucioneve.
Kush është G37 Chambers?
Guernica 37 Chambers është një grup barristerësh dhe ekspertësh të së drejtës ndërkombëtare me seli në Londër, i specializuar në të drejtën penale ndërkombëtare, arbitrazh, ekstradime, rikuperim asetesh dhe çështje të të drejtave të njeriut. Anëtarët e saj kanë përfaqësuar çështje në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si edhe në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Kompania ka zhvilluar aktivitet në dhjetëra vende të botës, përfshirë Kosovën, Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën, Ukrainën, Izraelin, Libinë, Sirinë, Argjentinën dhe Shtetet e Bashkuara.
Normalisht ngrihet pyetja, Ministria e Drejtësisë çfarë pune bën? Pse duhet të harxhohen miliona euro për një kompani kur kjo është punë e vetë Ministrisë së Drejtësisë? Apo fshihet diçka tjetër? /Pamfleti

