• Rreth nesh
  • Kontakt
  • Puno me ne
  • Privatësia
No Result
View All Result
AlbTimes
  • Politikë
  • Kronikë
  • Botë
  • Sociale
  • Jetë
  • Dossier
AlbTimes
  • Home
    • Home – Layout 1
    • Home – Layout 2
    • Home – Layout 3
    • Home – Layout 4
No Result
View All Result
AlbTimes
No Result
View All Result
Home Botë

Boshllëku i pushtetit: Trump po e çmonton arkitekturën e sigurisë në Ballkan

09/07/2026
in Botë, Kryesore
Boshllëku i pushtetit: Trump po e çmonton arkitekturën e sigurisë në Ballkan

Situata në Ballkan është bërë edhe më e pasigurt që nga rikthimi i Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë. Që nga vitet 1990, rajoni ka qenë vatër e dy konflikteve të ngrira: në Bosnjë Hercegovinë dhe në Kosovë.

Përpjekjet ndërkombëtare për zgjidhjen e të dyja konflikteve u udhëhoqën nga Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në çështjet e sigurisë dhe qeverisjes kushtetuese. Por kohët e fundit, qasja e Uashingtonit ka filluar të ndryshojë.

Strategjia e re, e cilësuar si më pragmatike, mbështetet te çuarja përpara e interesave tregtare dhe gjeopolitike më shumë sesa te përfshirja e drejtpërdrejtë në zgjidhjen e krizave politike.

Uashingtoni po u kërkon vendeve të rajonit të marrin përgjegjësi më të madhe për problemet e tyre, ndërsa angazhimin amerikan po e lidh gjithnjë e më shumë me sigurinë, energjinë dhe infrastrukturën.

Projektet energjetike dhe infrastrukturore, po shihen tashmë si pjesë e konkurrencës strategjike me Rusinë dhe Kinën. Objektivi është ulja e varësisë së Ballkanit nga energjia ruse dhe kufizimi i ndikimit ekonomik e politik të Pekinit.

Ky ndryshim vjen paralelisht me planet për reduktimin e pranisë ushtarake amerikane në Evropë, si dhe me kërkesën që aleatët evropianë të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit.

Administrata Trump deklaron se “epoka e shtetndërtimit të udhëhequr nga SHBA-ja ka përfunduar”, dhe se politika ndaj Ballkanit nuk synon më rindërtimin institucional, por stabilitetin dhe partneritete reciprokisht të dobishme.

Sipas këtij vizioni, aktorët lokalë duhet të zgjidhin vetë problemet e tyre, ndërsa SHBA-ja do të ndërhyjë vetëm kur e kërkojnë interesat e saj strategjike. Në pamje të parë kjo qasje duket logjike, pasi politikanët vendas kanë transferuar shpesh përgjegjësinë te Brukseli apo Uashingtoni.

Megjithatë, vetë arkitektura e paqes në Ballkan është ndërtuar mbi praninë afatgjatë politike dhe ushtarake të Perëndimit. Për dekada, prania amerikane ka qenë garancia kryesore që konfliktet nuk do të riktheheshin në përplasje të armatosura.

Kjo ngre pikëpyetjen nëse marrëveshjet e pasluftës kanë krijuar vërtet një stabilitet të qëndrueshëm. Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa Bosnjë Hercegovina mbetet nën një sistem të pazakontë mbikëqyrjeje ndërkombëtare të krijuar pas Marrëveshjes së Dejtonit.

Administrata amerikane deklaron se do të vazhdojë të mbështesë rajonin kur kjo të jetë e nevojshme. Por shembulli i Bosnjës tregon kufijtë e këtij angazhimi. Pas përplasjes mes liderit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, dhe Përfaqësuesit të

Lartë Christian Schmidt, Bosnja mbetet pa një zëvendësues të dakordësuar ndërkombëtarisht, duke reflektuar mungesën e koordinimit mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.

Edhe në dialogun Kosovë-Serbi, Uashingtoni kërkon një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët, ndërsa vazhdon të marrë pjesë në misionin paqeruajtës të KFOR-it. Megjithatë, po diskutohet edhe reduktimi i trupave të aleancës, çka ka shtuar shqetësimet për të ardhmen e sigurisë në rajon.

Megjithëse NATO këmbëngul se çdo vendim do të varet nga situata në terren, burime diplomatike kanë bërë të ditur se ideja për uljen e pranisë ushtarake ka ardhur nga Uashingtoni. Kjo është parë me shqetësim, sidomos pas tensioneve të viteve të fundit në veri të Kosovës, kur KFOR-i u detyrua të përforconte misionin pas përleshjeve dhe mobilizimit të forcave serbe.

Edhe pse SHBA-ja ka më pak trupa se Italia në Kosovë, roli i saj mbetet strategjik për shkak të kapaciteteve ushtarake dhe bazës “Bondsteel”, një nga më të rëndësishmet  amerikane në Evropë.

Dimensioni i dytë i politikës së administratës Trump është ekonomia. Uashingtoni po promovon eksportin e gazit të lëngshëm amerikan, teknologjitë bërthamore dhe investimet në energjinë e rinovueshme, duke i lidhur këto me objektivin për të kufizuar ndikimin rus.

Ndër projektet prioritare është Interkoneksioni Jugor, që synon ta lidhë Bosnjën me rrjetin kroat të gazit dhe terminalin LNG në ishullin Krk, duke eliminuar varësinë

nga gazi rus.

Projekte të tjera përfshijnë lidhje të reja energjetike mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, modernizimin e sektorit energjetik në Kosovë dhe investime në hidroenergji në disa vende të rajonit.

Sipas administratës Trump, zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik është mënyra më efektive për të kufizuar ndikimin e Rusisë dhe Kinës. Raporti i drejtuar Kongresit akuzon Moskën se përdor tensionet etnike dhe energjinë për të ushtruar presion politik, ndërsa Pekini shfrytëzon tregtinë, kreditë dhe lidhjet me elitat për të zgjeruar praninë e tij.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kjo qasje mbart rreziqe. Politologu Igor Novaković argumenton se administrata Trump nuk e konsideron më Ballkanin një prioritet strategjik dhe e sheh rajonin kryesisht përmes interesave ekonomike.

Sipas tij, objektivi është ruajtja e stabilitetit minimal që u shërben investimeve amerikane, dhe jo domosdoshmërisht përfundimi i proceseve ende të papërfunduara të shtetndërtimit. Ai thekson gjithashtu se SHBA-ja po tregon gatishmëri të veprojë edhe në kundërshtim me partnerët evropianë.

Përplasjet mbi emërimin e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë dhe kontrolli amerikan mbi projektin e Interkoneksionit Jugor, janë sipas tij shenja të një rivaliteti të ri transatlantik. Kjo po e nxit edhe Bashkimin Evropian që të rishikojë qasjen e tij.

Në Bruksel po shtohet bindja se zgjerimi nuk mund të mbështetet më vetëm mbi kritere teknike, por edhe mbi konsiderata gjeopolitike. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse të gjitha shtetet anëtare janë të gatshme të përshpejtojnë integrimin e vendeve, që ende nuk kanë përmbushur standardet e kërkuara.

Eksperti i sigurisë Vuk Vuksanović, e përshkruan politikën e Trump-it si një kombinim të vazhdimësisë dhe shkëputjes. Nga njëra anë, SHBA-ja vazhdon të mbështesë pavarësinë e Kosovës, integritetin territorial të Bosnjës dhe frenimin e ndikimit rus e kinez.

Nga ana tjetër, marrëdhëniet me rajonin po bëhen gjithnjë e më shumë transaksionale.

Sipas tij, administrata amerikane kërkon mundësi biznesi dhe projekte që sjellin përfitime konkrete, ndërsa figura të afërta me Trump-in, si dhëndri i tij Jared Kushner, kanë shfaqur interes për investime në Serbi dhe Shqipëri.

Megjithatë, Vuksanović nuk beson se rajoni është në pragun e një lufte të re. Edhe nëse SHBA-ja e redukton praninë e saj në Evropë, vendet e Ballkanit nuk kanë kapacitetet për konflikte të gjata si ato të viteve ‘90.

Ndaj më shumë gjasa, ato do të orientohen drejt partnerëve të ndryshëm sipas interesave të tyre, ndërsa Serbia do të vazhdojë politikën e balancimit mes Perëndimit dhe Rusisë. Edhe analistët e Atlantic Council, argumentojnë se Ballkani mund të jetë në prag të një transformimi historik të politikës amerikane.

Për tri dekada, Perëndimi ka funksionuar mbi bindjen se rajoni kishte nevojë për menaxhim të vazhdueshëm politik dhe institucional. Sot kjo premisë po vihet në pikëpyetje. Por realiteti në terren sugjeron se problemet themelore nuk janë zhdukur. Bosnjë Hercegovina vazhdon të jetë një shtet me institucione të brishta, ku elitat politike mbështeten ende te retorika etnike. Debatet për ndryshimin e kufijve nuk janë zhdukur, ndërsa Marrëveshja e Dejtonit nuk ofron zgjidhje për një rikonfigurim të tillë.

Milorad Dodik vazhdon të kërcënojë me shkëputjen e Republikës Srpska dhe të kultivojë marrëdhënie të ngushta me Moskën. Pas lehtësimit të sanksioneve amerikane, ai ka krijuar kontakte edhe me njerëz pranë Trump-it, ndërsa raportimet për një rishikim të pranisë amerikane në Bosnjë i kanë shtuar pasiguritë.

Në këtë kontekst, tërheqja graduale e SHBA-së nuk do të thotë domosdoshmërisht rikthim i luftës, por krijon një boshllëk politik dhe strategjik që ende nuk është e qartë se kush do ta mbushë.

Pikërisht ky vakuum përbën sfidën më të madhe për Ballkanin në vitet që vijnë: një rajon ku konfliktet nuk janë zgjidhur plotësisht, ndërsa garancitë që i kanë mbajtur ato të ngrira po ndryshojnë rrënjësisht./Pamfleti nga “The Insider”

Më të lexuarat

  • Boshllëku i pushtetit: Trump po e çmonton arkitekturën e sigurisë në Ballkan

    Boshllëku i pushtetit: Trump po e çmonton arkitekturën e sigurisë në Ballkan

    332 shares
    Share 133 Tweet 83
  • Zbulohet skema me tjetërsimin e pronave në Durrës, lëshohen 12 masa sigurie!

    332 shares
    Share 133 Tweet 83
  • Adriatik Kupi i Petrelës: Metamorfoza e ‘zarit’ të Adrian Çelës së OSHEE që u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve

    332 shares
    Share 133 Tweet 83
  • Të fshehtat pas fotos familjare në Samitin e NATO-s

    332 shares
    Share 133 Tweet 83
  • Erdogani habit liderët e NATO-së, u dhuron nga një revolver me emrin e tyre; Starmer-it ia sekuestrojnë në Britani

    332 shares
    Share 133 Tweet 83
  • Thellohet skandali, qeveria dha 4 mln euro për të blerë biletat e Kanye West; administrata dhe nxënësit me detyrim në koncert

    332 shares
    Share 133 Tweet 83
  • “Në tetor kemi zgjedhje”, Vuçiç: Ato parlamentare do të mbahen të parat

    332 shares
    Share 133 Tweet 83
  • Marjana Koçeku i del sërish kundër Ramës: Jep para për zjarret, jo për koncertin e Kanye West!

    332 shares
    Share 133 Tweet 83
  • Dhurata e madhe që Rama i çoi Erdoganit në valixhe: a u tërhoqën “taboret” e tij nga protesta?

    332 shares
    Share 133 Tweet 83
  • Dhuna online dhe pirateria, AKEP kërkon ndryshime ligjore: Ndërhyrje brenda 30 minutash

    332 shares
    Share 133 Tweet 83
AlbTimes

Lajme të vërteta!

Të tjera

  • Rreth nesh
  • Kontakt
  • Puno me ne
  • Privatësia

Na ndiqni

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
No Result
View All Result
  • Home
    • Home – Layout 1
    • Home – Layout 2
    • Home – Layout 3
    • Home – Layout 4

Lajme të vërteta!