Një gjykatë në Spanjë ka dënuar me tre vite burg një çift, pasi mbajtën të izoluar tre fëmijët e tyre për gati katër vite, duke pretenduar se po i mbronin nga pandemia e Covid-19.
Kur policia hyri në banesë, gjeti mbeturina, pelena dhe produkte sanitare të përdorura, ndërsa fëmijët mbanin maska, flinin në shtretër të ngjashëm me kafaze dhe kishin probleme serioze fizike e psikologjike. Sipas autoriteteve, ata kishin vështirësi në ecje, probleme me kontrollin e nevojave personale dhe vonesa të mëdha në zhvillim.

Hetuesit zbuluan gjithashtu se binjakët nuk dinin as të lexonin dhe as të shkruanin, ndërsa asnjëri prej fëmijëve nuk ishte kontrolluar nga mjekët prej vitit 2019. Rasti u zbulua falë dyshimeve të një fqinje, e cila vuri re lëvizje të çuditshme dhe sasi të mëdha pelenash në porositë e familjes.

Ajo mblodhi prova dhe njoftoi autoritetet, çka çoi në ndërhyrjen e policisë. Gjykata urdhëroi gjithashtu heqjen e të drejtave prindërore për më shumë se tre vite, ndalimin e afrimit pranë fëmijëve dhe pagesën e 30 mijë eurove dëmshpërblim për secilin prej tyre.
Fëmijët ndodhen aktualisht nën kujdesin e shërbimeve sociale, ndërsa psikologët dhe edukatorët po punojnë për rehabilitimin e tyre pas traumës së rëndë që kanë përjetuar.

