Një ditë pas deklaratës të Taulant Ballës që shkaktoi debate dhe përplasje në Kuvend, deputetët e Partisë Demokratike kërkojnë përjashtimin me 60 ditë të kreut të grupit të PS nga punimet e Kuvendit.
Në kërkesën e firmosur nga 21 deputetë demokratë, por jo nga vetë Albana Vokshi, ata pohojnë se Taulant Balla me deklaratat e tij cenoi në mënyrë të rëndë dinjitetin njerëzor të deputetes opozitare.
Përveç përjashtimit, demokratët kërkojnë edhe kërkim ndjese nga Balla dhe reflektim nga të gjithë anëtarët e Kuvendit që gjuha e përdorur të mos degradojë.
Ndjesa nuk erdhi nga Balla, për shkak se mungoi në këtë mbledhje, por nga socialistët e tjerë të pranishëm në Komisionin e Jashtëm, të cilët reflektimin e kërkuan edhe nga demokratët.
Vetë Albana Vokshi e pranishme në mbledhje tha se fjalët e përdorura kundër saj nga Balla janë sulme politike dhe kritikoi menaxhimin e situatës nga kreu i Kuvendit, Niko Peleshi.
“Nuk jam ndjerë e fyer nga ajo që u tha dje, sepse njerëz me veprime si të tijat e turpërojnë Parlamentin. Por jam ndjerë e lënduar për mënyrën sesi kryetari i Kuvendit e menaxhoi situatën. E menaxhoi në mënyrë të turpshme dhe nga ana e grave deputete të PS për gjuhën seksiste që u përdor nga kryetari i grupit tuaj parlamentar”, u shpreh Vokshi.
Vokshi kritika pati edhe për deputetet socialiste që siç pohoi kanë heshtur për gjuhën seksiste të përdorur jo vetëm nga Balla por edhe Rama kundër grave në Kuvend.











