Ministria e Arsimit dhe Sportit ka pranuar njërën nga kërkesat e studentëve duke shfuqizuar nenin 4 të vendimit nr. 288 të majit të 2018 të qeverisë për tarifën shtesë për provimet e mbartura për studentët. “Që sot qeveria do të shfuqizojë vendimin që lidhet me tarifat, nuk do të ketë kosto shtesë për studentët” tha ministrja.
Përsa i përket kërkesës për pjesëmarrjen në bordin e administrimit, Nikolla e cilësoi kërkesën të paparë, pasi sipas saj nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës. Lidhur me kërkesën për përgjysmim të tarifës së studimit, Nikolla tha se është në dorë të universiteteve. Duke u ndalur te pika e fundit, kushtet në konvikte, ministrja u shpreh se qeveria do të investojë.
Vendimi i ministres Nikolla erdhi pas protestës së studentët të universiteteve të Tiranës, Korçës, Durrësit dhe fakultetit të Juridikut në Shkodër, të cilët bojkotuan mësimin ditën e sotme duke kërkuar plotësimin e kërkesave. Megjithatë, pavarësisht vendimit të ministres, protesta vijon prej mëngjesit të sotëm para Ministrisë së Arsimit.
Paraditen e sotme në një moment situata u tensionua, pasi studentët në shenjë revolte hodhën drejt Ministrisë së Arsimit vezë, lapsa, stilolapsa, bidona dhe letra higjenike. Në Elbasan protesta agravoi në thyerje xhamash, ndërsa u shqye edhe një derë te fakulteti i Infermierisë. Ndërkohë që drejt fakultetit të Ekonomisë u qëllua me vezë nga studentët.