Shpëtuan Dajtin nga burgimi i përjetshëm, gjyqtarit i gjenden 20 mijë euro të padeklaruara

Në Tiranë, Sarandë, Vlorë dhe Shkodër, Policia e Shtetit organzoi këtë mëngjes (e premte) një aksion në banesat e 3 gjyqtarëve që zbutën dënimin me burg të përjetshëm për Dritan Dajtin.

Masa u dha nga Gjykata e Krimeve të Rënda pasi tre gjyqtarët Petrit Aliaj, Skënder Damini dhe Aleks Nikolli dyshohen për korrupsion.

Dajti ishte dënuar për vrasjen e 4 policëve në vitin 2009.

Kontrollet kanë nisur në orën 7:00 të ditës së premte. Deri tani, në banesën e gjyqtarit të Apelit Vlorë, Skënder Damini, në Farkë të Tiranës, janë gjetur 20 000 euro që janë sekuestruar nga policia, ndërkohë që vazhdojnë kontrollet, raporton top-channel.

Sapo të përfundojnë këto kontrolle, ku mendohet se edhe në banesat e gjyqtarëve të tjerë ka shuma parash të pajustifikuara, pritet të zhvillohen veprime të tjera hetimore ndaj gjyqtarëve të dyshuar. Aktualisht, Prokuroria e Krimeve të Rënda po zhvillon verifikime pasi dyshon se këta 3 gjyqtarë kanë ushtruar korrupsion, por këto dyshime duhet të faktohen me prova shtesë.

Njërit prej gjyqtarëve që shpëtoi Dritan Dajtin nga burgimi i përjetshëm i janë gjetur në shtëpinë që ka në Tiranë një shumë prej 20 000 eurosh.

Shuma e parave u gjet pas kontrolleve që janë kryer mëngjesin e sotëm nga forcat e policisë në banesat e tre gjyqtarëve që zbutën dënimin për Dritan Dajtin në Apelin e Krimeve të Rënda.

Gjyqtari Skënder Damini ka edhe një banesë tjetër në Vlorë. /Top channel/

Komente