Rusia “tërbohet” nga rezistenca e Ukrainës

Ushtria ukrainase pohoi se e diela ishte një ditë mjaft e vështirë për të, dhe se trupat ruse “kanë vazhduar bombardimin nga pothuajse çdo drejtim”.

Ministria ukrainase e mbrojtjes pohoi se që prej fillimit të pushtimit kanë humbur jetën 352 civilë, mes të cilëve fatkeqësisht, edhe 14 fëmijë. Por rezistenca vazhdon, madje në nivele të tilla sa duket se e ka befasuar Moskën. Kremlini priste një marrje shumë të shpejtë të Kievit, dhe duket kishte planifikuar një luftë të shkurtër, por nuk rezultoi ashtu . Rezistenca e fortë ukrainase, e ushtrisë por edhe civilëve vetë, nuk e ka lejuar Moskën të marrë kontrollin e qendrave të mëdha urbane, siç shpresonte.

Shpërthime të fuqishme zgjuan mëngjesin e sotëm banorët e Kievit dhe të qytetit tjetër të rëndësishëm, Kharkiv. Forcat ruse janë duke lëvizur tani në jug ku po kërcënojnë një port të rëndësishëm, dhe në veri nga ku po nisen trupa të tjera drejt Kievit.Pavarësisht kësaj, zyrtarët ukrainas e panë si një lloj fitoreje të vogël thirrjen e Rusisë për bisedime, ç’ka erdhi sipas tyre, edhe falë rezistencës së madhe që u bë në terren.

“Armiku priste që të vinte e të hynte qetësisht në Ukrainë, por këtu për të, u hapën portat e ferrit. Lidershipi rus nuk e kupton se nuk është në luftë vetëm me forcat e armatosura të Ukrainës, është në luftë me të gjithë popullin ukrainas”, tha kryeministri Denys Shmyhal.

Por ekspertët ushtarakë ndërkombëtarë paralajmërojnë se është ende për të thirrur fitore, shkruan New York Times. Ato kujtojnë se forcat ushtarake ukrainase janë duke dhënë që tani maksimumin e tyre, kanë municione të kufizuara dhe më mijëra ushtarë rusë më të stërvitur se ata nuk janë nisur ende në luftë. Frika tani është se sa më shumë rezistencë të hasin forcat e tij, aq më shumë mund të acarohet Putini e të urdhërojë bombardime të plota masive mbi qytetet e Ukrainës, edhe pse siç thoshte në fillim, kërkonte që të kurseheshin civilet.

/top channel

Komente