Rama i dorëzuar para gazetarëve: BE po e trajton Ballkanin si tepricë

Kryeministri Edi Rama, pohoi në një konferencë për mediat se Shqipëria nuk do ketë vaksinën kundër COVID-19, duke mos dhënë një datë të saktë se kur ajo do mund të mbërrinte për shqiptarët. Rama nuk ngurroi të sulmojë dhe BE-në, duke e etiketuar si fajtor për vendimin e marrë, që vaksina të shpërndahet fillimisht për vendet anëtare të kësaj organizate.

Sipas tij, ky organizëm po e trajton Ballkanin Perëndimor si “tepricë” dhe kjo është për të ardhur keq. Në fakt, kjo deklaratë e Ramës nuk vlen për të gjitha vendet. Serbia, dhe kjo pjesë e Ballkanit Perëndimor, filloi dje vaksinimin kundër koronavirusit, dhe ishte vetë kryeministrja e vendit Ana Bernabiç që kreu këtë proces para kamerave.

“Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me disa shtete mike pasi siç e dini BE ka marrë një vendim në këndvështrimin tim goxha për të ardhur keq. Por kështu e ka marrë, për vendet e Ballkanit perëndimor do të jepen tepricat. Këtu nuk ka teprica fatkeqësisht, pasi këtu ka më pak, shumë më pak vaksina se sa ishte parashikuar. Këtu ka një problem të madh se ka shumë më pak nga sa ishte planifikuar. Megjithatë ne po komunikojmë me disa shtete mike, nuk mund të jap emra, ne jemi në komunikim.

Ajo që di të them është se ne nuk do të mbetemi mbrapa të tjerëve dhe në fillim të vitit të ardhshëm do të fillojmë vaksinimin. Nuk mund të jap dot një datë të saktë, por në dy muajt e ardhshëm, mund të jetë dhe pak më shpejt, mund të jetë dhe pak më vonë. Për fat të keq edhe në çështjen e vaksinës është më shumë diplomaci, miqësi, kontakte, d.m.th. është një luftë e madhe që po bëhet sot nga të gjitha shtetet që të merren sa më shumë vaksina. Është si radha e qumështit në atë kohë, por iu them të rrini të qetë se siç e kemi treguar më parë kur është puna për të bërë lypësin për shqiptarët, dimë ta bëjmë shumë mirë”, u justifikua Rama.

Vizita në Amerikë
Por Rama ka pranuar se vizita e tij në New York SHBA, në fillim të këtij muaji ka rezultuar një dështim. Kjo sepse sipas Kryeministrit, ky vend ka ndaluar eksportin e çdo vaksine të Pfizer të aprovuar. “Mos harroni se në SHBA është vendosur ndalimi i eksportit të çdo vaksine Pfizer të aprovuar. Ky është një problem tjetër që asnjë dozë nuk del nga SHBA”, tha Rama.

Gjithsesi Rama nuk shpjegoi, se përse shkoi për disa ditë në SHBA, ku në media qarkulluan dhe disa foto duke bërë shoping në Manhatan. Lajmi se Amerika mund të ndalonte eksportin e vaksinave pas daljes së saj ka dalë shumë më herët, që kur ajo ishte në fazat e para të testimit.

Në maj të këtij viti ky lajm ka qarkulluar në mediat më prestigjioze amerikane, dhe Presidenti në detyre Donald Trump, nxori një urdhër ekzekutiv më datë 7 dhjetor që ndalonte kompaninë Pfizer, dega Amerikë të eksportonte vaksinën në fjalë, deri në momentin që të ishin vaksinuar të gjithë qytetarët amerikanë. Kjo ka hapur një debat të madh në këtë vend, pasi vende si Kanadaja, që ka porositur trefishin e dozave që i duhen në bazë të popullsisë, jo vetëm kanë kryer parapagesat por dhe kanë financuar kërkimet.

Të prekurit
Numri i të infektuarve dhe viktimave ka shënuar rritje të ndjeshme në vendin tonë. Vetëm për nëntorin u regjistruan 17 mijë të prekur dhe më shumë se 305 viktima nga pandemia. Që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 54827 të prekur nga koronavirusi dhe 1125 vdekje. Numri i të prekurve mendohet të jetë dhe më i madh për shkak se shumë persona preferojnë të mos e bëjnë tamponin. Gjithashtu dhe numri i viktimave, sidomos i atyre që janë post-Covid, pra e kanë kaluar sëmundjen por kanë humbur jetën si pasojë e dëmeve që ai ka lënë në organizëm.

Me një ftohje të motit, specialistët parashikojnë që virusi të bëhet dhe më agresiv. Kjo për shqiptarët do të thotë se dy muajt e ardhshëm të dimrit, do i kalojnë pa një vaksinë. Të paktën kjo u la të kuptohej nga deklarata e Ramës, i cili nuk dinte të jepte një datë se kur vaksina do vinte në vendin tonë.

Shqipëria për sigurimin e vaksinave u mbështet te COVAX, një organizëm i OBSH, që siguron vaksina me çmim të lirë për vendet në zhvillim dhe vendet e varfra. Kjo e fundit, ishte mbështetur te kërkimet e vaksinës së Oksfordit e cila rezultoi jo efikase.

Komente