Nuk ka rigjykim për Fatmir Mediun, GJKKO rrëzon kërkesën nga SPAK për Dosjen e Gërdecit

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e SPAK ditën e sotme, duke vendosur që të mos rifillojë ndjekjen penale ndaj Fatmir Mediut për rolin e tij në ngjarjen e Gërdecit, proces i bllokuar që prej vitit 2009.

GJKKO ka theksuar se Prokuroria ka pasur 10 vite kohë që ta hetonte, ndërkohë që nuk ka depozituar prova të reja por vetëm kërkesën për hapjen e hetimeve.

Si e dhënë e re për SPAK konsiderohen ndryshimet kushtetuese mbi imunitetin parlamentar , që i japin të drejtë akuzës të ndjekë penalisht një deputet pa qenë e nevojshme kërkesa për autorizim. Megjithatë Kolegji i Gjykatës së Lartë tërheq vëmendjen se nga 2009 kur u pushua gjykimi ndaj ish ministrit, duke nisur prej 2017 akuza mund ta kishte rihapur çështjen.

Fatmir Mediu u rikthye edhe njëherë në gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit, jo vetëm nga ankesa e familjarëve të fëmijës së vrarë, por edhe nga ndryshimet ligjore të reformës në drejtësi në të cilat parashikohet se një çështje e pushuar mund të hapet jo vetëm mbas provave të reja, por edhe zbulimit të të dhënave të reja.

“Prokuroria nuk ka pasur ndonjë pengesë që të ushtronte funksionin e saj si përfaqësues i akuzës, konform ligjit, situatë procedurale kjo e transferuar si kompetencë te Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, sipas Gjykatës së Lartë.

“Vlerësojmë se pas revokimit të vendimit të pushimit të çështjes penale, ndjekja penale dhe procesi penal duhet të vazhdojë në fazën procedurale ku ka mbetur, pra në fazën e gjykimit të çështjes. Shtetasi Fatmir Mediu gjatë fazës së hetimeve paraprake të çështjes penale të mësipërme është njohur me akuzën ndaj tij, është njohur me të gjitha aktet procedurale në ngarkim të tij dhe për këtë çështje penale është marrë vendimi për dërgimin në gjyq dhe është paraqitur kërkesa për gjykim. Faza e hetimeve paraprake është përfunduar në përputhje me kërkesat e ligjit procedural penal të zbatueshme në atë kohë dhe shkaku i pushimit të çështjes ka lindur në fazën e gjykimit. Pra, faza e hetimit paraprak është e tejkaluar në çështjen penale konkrete dhe procesi penal duhet që të vazhdojë në fazën e gjykimit të çështjes”, thuhet sipas SPAK.

Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindërit e 7 vjeçarit Erison Durdaj që humbi jetën tragjikisht nga shpërthimi i Gërdecit në pranverën e 2008 i kanë kërkuar gjykatës pranimin e kësaj kërkese.

Në muajin Shkurt 2021, Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindërit e 7 vjeçarit Erison Durdaj që humbi jetën tragjikisht nga shpërthimi i Gërdecit në pranverën e 2008, iu drejtuan organeve të drejtësisë së re për të rifilluar ndjekjen penale ndaj Fatmir Mediut, ish Ministër i Mbrojtjes.

SPAK e trajtoi pozitivisht këtë kërkesë, duke e vlerësuar se ishte e drejtë të rifillonte ndjekja penale ndaj këtij personi dhe tashmë është në dorën e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të dhënë dritën jeshile.

Gjykimi do të bëhet nga gjyqtari Erion Çela në dhomë këshillimi, pa praninë e palëve. Por, prindërit e të miturit Erison Durdaj, nuk kanë qëndruar pasiv. Ata kanë parashtruar një memo para gjykatës duke i kujtuar asaj që:

– ndjekja penale është një detyrim i shtetit shqiptar që buron nga konventat ndërkombëtare që kërkojnë hetimin dhe gjykimin e plotë për çdo humbje jete

– dosja përmban shumë fakte që mund të cilësohen jo vetëm si shpërdorim detyre dhe duke i hapur rrugë gjykimit do të mundësohet një vlerësim i drejtë i të gjithë fakteve penale

– gjykata të zbatojë drejtpërdrejt nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe të mos humbasë në teknikalitete, në dëm të thelbit të detyrës së prokurorisë dhe gjykatave të një shtet të së drejtës. Gjykata e Strasburgut ka kërkuar shpesh here nga shtetet që të bazojnë vendimet direkt ne Konvente.

– nëse gjykata ka dyshime se ndonjë dispozitë e ligjeve shqiptare bëhet pengesë për këtë gjykim, të ushtrojë të drejtën për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për t’i hequr pengesat antikushtetuese.

/Top-Channel

Komente