Në gjithë botën po hapen miliona vende të reja pune në industrinë e shfrytëzimit të energjisë diellore.
Edhe në Gjermani po shtohen panelet diellorë dhe firmat kanë nevojë për punëtorë të rinj.
“Puna më jep shumë kënaqësi, jam i entuziazmuar dhe mësoj shumë”, thotë Fabian Rojas.
Që nga tetori i vitit të kaluar argjentinasi 26-vjeçar punon në një firmë pranë Kolnit, që monton panele diellorë në çati dhe ka katër punonjës.
Shefi i firmës Rene Hegel e punësoi inxhinierin argjentinas, i cili në atë kohë ndodhej për vizitë në Gjermani. Kështu mund të përballohet një pjesë e kërkesës, e cila ka rritje të shpejtë.
“Ne kemi shumë kërkesa, unë shkruaj të paktën gjashtë oferta në javë dhe kemi porosi për katër deri në pesë muajt e ardhshëm. Klientët duan të prodhojnë vetë energji elektrike, të ngarkojnë makinat elektrike me të dhe të ulin konsumin nga rrjeti. Kjo ndihmon për mbrojtjen e klimës”, tregon Rojas.
Ai bisedon me klientët, planifikon sistemet dhe nganjëherë ndihmon për montimin e tyre në çati. Shefi i tij shet që nga viti 2008 impiante për shfrytëzimin e energjisë diellore.
“Fabiani mëson shumë shpejt, Muajt e ardhshëm ai do të fitojë më shumë përvojë praktike, atëherë gjërat do të shkojnë edhe më mirë”, thotë Hegel.
Gjermania kërkon punëtorë
Hegeli dëshiron të punësojë punonjës të tjerë, sepse kërkesa po rritet. Pas një bumi si pasojë e ligjit për energjitë e rinovueshme në fillim të viteve 2000, energjia diellore pësoi një rënie pas vitit 2012 dhe tani po përhapet sërish.
Në vitin 2020 në Gjermani u instaluan sisteme të energjisë diellore me një fuqi prej gjithsej 5 Gigavat (GW), tendenca është në rritje. Sipas studimeve për të përmbushur objektivin e 1.5 gradëve zgjerimi do të duhet të rritet gjashtëfish në 30 GW në vit.
“Për këtë në industrinë solare nevojiten gjithnjë e më shumë punëtorë”, thekson edhe Günther Haug, menaxher në BayWa.