‘Lufte ne Diber’ sulmohet KZAZ me molotov

Bomba molotov janë hedhur mbrëmjen e sotme në KZAZ-në nr.19 në Dibër. Protestuesit janë përleshur me policinë në përpjekje për të hyrë në ambientet e KZAZ-së. Top Channel raporton se nga përleshjet ka mbetur i plagosur një gazetar, por edhe gjashtë efektivë të policisë.

Protestuesit kundërshtojnë organizimin e votimeve në 30 qershor, ku opozita nuk merr pjesë.
Policia e Shtetit njofton se për shkak të incidenteve, në ndihmë të Policisë së Dibrës janë nisur Forcat e Lëvizshme Operacionale.
“Nisur nga situata e krijuar në KZAZ-n Nr. 19 në Dibër, ku rreth 250 – 300 persona po vijojnë të sulmojnë punonjësit e policisë me sende të forta, kapsolla dhe bomba molotov, me qëllim depërtimin brenda ambjenteve të KZAZ-s, Policia e Shtetit iu bën thirrje organizatorëve që të distancohen menjëherë dhe të ndalojnë sulmin mbi forcat e rendit, pasi po rrezikojnë jetën e punonjësve të policisë.

Në ndihmë të Policisë së Dibrës janë nisur Forcat e Lëvizshme Operacionale, të cilat do të bëjnë ndalimin e personave përgjegjës me qëllim përballen e tyre me ligjin. Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të mbrojtur objektet zgjedhore dhe do t’i përgjigjet me ashpërsinë e ligjit çdo sulmi ndaj punonjësve të Policisë dhe objekteve zgjedhore”, thuhet në reagimin e policisë.

Edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar për ngjarjen: “Verbëria e dhunës politike po sulmon sot me molotov KZAZ e vendosur në shkollën “Nazmi Rushiti” dhe Policinë në Dibër, nën drejtimin e përfaqësuesve të lartë të opozitës. Ligji do të veprojë pa asnjë mëdyshje ndaj çdo forme të krimit!”
Aktualisht protestuesit janë shpërndarë dhe situata përpara KZAZ paraqitet e qetë. Policia ka nisur mbledhjen e provave në vendngjarje.

Loading...

Komente