Loja e famshme PUBG po bëhet shqetësim për fëmijët

Vetëvrasja e një djali pasi mamaja e qortoi sepse po luante me një lojë mjaft të famshme online, ka nisur një debat të zjarrtë në Indi nëse ajo duhet të mos lejohet më në vend.

Babai i 16-vjeçarit – i cili vari veten – kërkon që loja “PlayerUnknown’s Battlegrounds”, e njohur si PUBG, të ndalohet në Indi.

Në zemër të konfliktit është një normë kulturore në vendin me mbi 1 miliardë banorë: Prindërit presin që fëmijët e tyre, të cilët i mbajnë në shtëpi edhe kur bëhen të rritur, të përqendrohen te mësimet dhe karriera profesionale.

Ata që kërkojnë ndalimin e lojës thonë që ajo është një shpërqendrim vrastar. Në mars, dy djem në të njëzetat që po luanin pranë shinave të trenit u vranë nga një tren pasi ishin përqendruar te loja.

PUBG është një lojë mbijetese e zhvilluar nga një kompani koreano-jugore, në të cilën lojtarët hidhen në një ishull dhe duhet të eliminojnë njëri-tjetrin.

Që prej publikimit në vitin 2017, ka arritur të sigurojë shumë lojtarë në kompjuterë, por edhe telefona celularë. Deri në dhjetorin e vitit të kaluar 200 milionë vetë e kishin shkarkuar lojën në aparatin e tyre celular. /A2news

Komente